
Deputetët e Asamblesë Kombëtare të Francës miratuan të hënën një projektligj që synon ndalimin e përdorimit të rrjeteve sociale për fëmijët nën moshën 15 vjeç. Projektligji u votua me 116 vota pro dhe 23 kundër dhe tashmë i kalon Senatit, dhomës së lartë të parlamentit, për shqyrtim të mëtejshëm, përcjell DW.
Presidenti francez Emmanuel Macron, i cili e ka mbështetur fuqishëm këtë nismë, e cilësoi votimin si një “hap madhor”, duke theksuar se masa është e nevojshme për të mbrojtur fëmijët dhe adoleshentët nga koha e tepërt para ekraneve. Në një postim në rrjetin social X, Macron deklaroi se “truri i fëmijëve tanë nuk është për shitje, as për platformat amerikane dhe as për rrjetet kineze”.
Sipas projektligjit, ndalohet përdorimi i rrjeteve sociale dhe funksioneve të rrjeteve sociale të integruara në platforma të tjera për të miturit nën 15 vjeç, ndërsa përjashtohen enciklopeditë online dhe platformat arsimore. Platformat digjitale do të detyrohen të vendosin mekanizma efektivë për verifikimin e moshës, me qëllim bllokimin e aksesit për të rinjtë.
Ligji parashikon gjithashtu zgjerimin e ndalimit ekzistues të përdorimit të telefonave inteligjentë në shkollat e ciklit të ulët edhe në shkollat e mesme. Autoritetet synojnë që masat të hyjnë në fuqi nga fillimi i vitit shkollor 2026, fillimisht për llogaritë e reja.
Franca do të ishte vendi i dytë në botë që vendos një ndalim të tillë, pas Australisë, e cila së fundmi ndaloi rrjetet sociale për fëmijët nën 16 vjeç. Vendimi vjen mes shqetësimeve në rritje për ndikimin negativ të rrjeteve sociale në zhvillimin dhe shëndetin mendor të fëmijëve.
Autoriteti francez i shëndetit publik ANSES ka paralajmëruar se platforma si TikTok, Snapchat dhe Instagram kanë efekte të dëmshme te adoleshentët, veçanërisht te vajzat, duke përfshirë rrezikun e bullizmit online dhe ekspozimit ndaj përmbajtjeve të dhunshme.
Një sondazh i Harris Interactive në vitin 2024 tregoi se 73% e qytetarëve francezë mbështesin ndalimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën 15 vjeç, duke reflektuar mbështetje të gjerë publike për këtë masë.