Vendosni fjalën kyçe....

India dhe Bashkimi Evropian finalizojnë marrëveshje historike tregtare



India dhe Bashkimi Evropian kanë finalizuar një marrëveshje të rëndësishme tregtare, e cila përfaqëson rreth 25% të ekonomisë globale, deklaroi të martën kryeministri indian Narendra Modi. Marrëveshja vjen pas gati dy dekadash negociatash të ndërprera dhe synon forcimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy palëve, në një kohë pasigurish në marrëdhëniet tregtare me Shtetet e Bashkuara, përcjell Reuters.

Sipas Modit, marrëveshja do të hapë rrugën që India të liberalizojë tregun e saj të madh dhe të mbrojtur ndaj tregtisë së lirë me 27 vendet anëtare të BE-së, partneri i saj më i madh tregtar. Ai theksoi se kjo marrëveshje do të sjellë mundësi të mëdha për 1.4 miliardë banorët e Indisë dhe miliona qytetarë evropianë, duke përfshirë rreth një të tretën e tregtisë globale.

Detajet e marrëveshjes pritet të bëhen publike gjatë një samiti Indi–BE në Nju Delhi, ku Modi do të dalë në një deklaratë të përbashkët me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Sipas të dhënave zyrtare, tregtia mes Indisë dhe BE-së arriti në 136.5 miliardë dollarë gjatë vitit fiskal që përfundoi në mars 2025. Marrëveshja Indi–BE vjen vetëm pak ditë pas nënshkrimit të një pakti të rëndësishëm mes BE-së dhe bllokut tregtar të Amerikës së Jugut, Mercosur, si dhe pas marrëveshjeve të BE-së vitin e kaluar me Indonezinë, Meksikën dhe Zvicrën. Nga ana tjetër, India ka finalizuar së fundmi marrëveshje tregtare edhe me Britaninë e Madhe, Zelandën e Re dhe Omanin.

Këto zhvillime reflektojnë përpjekjet globale për të diversifikuar partneritetet ekonomike, në kushtet e tensioneve me SHBA-në, pas vendosjes nga presidenti amerikan Donald Trump të tarifave prej 50% mbi mallrat indiane dhe dështimit të një marrëveshjeje tregtare Indi–SHBA vitin e kaluar.

Sipas një zyrtari të qeverisë indiane, nënshkrimi formal i marrëveshjes Indi–BE pritet të ndodhë pas një procesi verifikimi ligjor që do të zgjasë 5 deri në 6 muaj, ndërsa zbatimi i saj mund të nisë brenda një viti.