
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, kritikoi kryetarin e Kuvendit për mënyrën e hartimit të rendit të ditës, pas kërkesës së mazhorancës për të hequr katër projektligje nga agjenda me arsyetimin se duhet të konsultohen me Komisionin Evropian.
Në fjalën e tij në Kuvend, Bardhi tha se kryesia nuk ka treguar seriozitet në përgatitjen e rendit të ditës dhe se projektligjet nuk duhet të futen në seancë pa u siguruar më parë nëse kanë kaluar procesin e konsultimit të nevojshëm.
“Tregoni se sa serioz jeni ju kryetar se propozimi që vjen nga PS është të heqim ligjet nga rendi i ditës se duhet t’i konsultojmë me KE.
Kjo ishte arsyeja për të hequr 4 projekt ligje nga rendi i ditës. Ju nuk jeni kujdesur minimalisht që përpara se të hartosh rendin të kontrollosh nëse ka ose jo konsultim.
Kërkesa e Blushit, është kërkesë që nuk ka nevojë të vijë me shkrim, mjafton ta paraqesë një grup parlamentar dhe mbështetet me ngritjen në këmbë të deputetëve, që ministrja të japë llogari për dhunën policore ndaj qytetarëve të pafajshëm nga policia e drejtuar nga një kryekriminel si Ilir Proda, ushtar u Suel Çelës dhe klanit të Troplinëve.
Duhet të japë shpjegim për përdorimin e lëndëve të skaduara. Kjo është një kërkesë që duhet ta hidhni në votim”, tha Bardhi.