
Kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi është përplasur me ministrin e Drejtësisë Lamallari pasi ky i fundit prezantoi disa ndryshime në Kodin e ri Penal.
Ai tha se depenalizimi i shpifjes nga gazetarët duhet të bëhet krejtësisht dhe jo ashtu si e propozon qeveria. Bardhi shtoi gjithashtu se parkimi dysh vepër penale është një budallallëk i qeverisë pasi nuk ka asnjë vend të dytë në Evropë që e ka këtë.
Bardhi tha gjithashtu se zaptimi i pronës së qytetarëve ngaa oligarkët nuk quhet vepër penale, por vetëm ku qytetarët zënë dhjetë metra katrorë quhet i tillë.
“E dëgjova ministrin e Drejtësisë me shumë vëmendje po nuk kuptova asgjë që shpjegoi. Kodi Penal është miratuar në vitin 1995 dhe ka ndryshuar herë pas here për t’u përshtatur me nevojat dhe pjesëmarrjen e vendit në instancat evropiane. Shpifja duhet të depenalizohet krejtësisht. Pyetja që bën çdo qytetar shqiptar është pse nuk e përmbushni këtë gjë, për të depenalizuar krejtësisht shpifjen. Ju thyoni që nuk do mbajnë p[ërgjegjësi gazetarët që janë të regjistruar, por e dimë që gazetaria nuk është profesion i rregulluar me ligj. Si do e ndani ju kush është gazetar e kush jo, kush përfshihet në të.
Këtu the se është rënduar dënimi për ata që zaptojnë prona. Po kur oligarkët zaptojnë pronat e qytetarëve dhe pronat publike. Po kur oligarku Salillari, me lejen e Belinda Ballukut, ka zaptuar tokën e të gjithë qytetarëve në Fier për të ndërtuar parkun fotovoltaik. Po kur zaptohet vija bregdetare e qytetarëve dhe u jepet oligarkëve, apo atëherë nuk quhet zaptim por zhvillim. Kujt ia shisni këto, apo vetëm kur një qytetar zë 10 metra katrorë tokë atëherë është zaptim prone. U kërkoj ta tërhiqni kodin penal, ky parlament të marrë kohën e tij të studiojë ndryshime dhe të bëjë propzimet e tij.” – tha Bardhi.