Vendosni fjalën kyçe....

Arabia Saudite pezullon projektin gjigant “Mukaab”, rrokaqielli kub më i madh në botë


Arabia Saudite ka pezulluar ndërtimin e planifikuar të një rrokaqielli kolosal në formë kubi në qendër të një zhvillimi të ri urban në Riad, ndërsa po rishqyrton financimin dhe realizueshmërinë e projektit, thanë për Reuters katër persona të njohur me çështjen.

Mukaab, që do të ishte elementi qendror i zhvillimit New Murabba në kryeqytetin saudit, është projekti më i fundit nga megaprojektet fantastike të lidhura me Vizionin 2030 që kufizohet ose shtyhet, teksa fondi sovran i pasurisë së vendit, PIF, me vlerë 925 miliardë dollarë, po ul ambiciet për të menaxhuar kostot dhe për të prioritizuar shpenzimet.

Mbretëria po largohet nga shpenzimet e rënda për projekte futuriste që kanë dominuar vizionin e Princit të Kurorës Mohammed bin Salman, si NEOM dhe projekti “The Line”, drejt nismave që konsiderohen më urgjente dhe potencialisht më fitimprurëse.

Projektet që janë aktualisht në fokus përfshijnë infrastrukturën për Expo 2030 dhe Kupën e Botës 2034, zonën kulturore shumëfunksionale Diriyah me vlerë rreth 60 miliardë dollarë dhe megaprojektin turistik Qiddiya, thanë pesë burime të njohura me çështjen.

Ky ripozicionim reflekton gjithashtu presionet fiskale në rritje, ndërsa çmimet e naftës mbeten dukshëm nën nivelet e nevojshme për të financuar agjendën ambicioze të transformimit të vendit.

 

Punimet përtej gërmimeve dhe themeleve janë pezulluar

Mukaab ishte planifikuar si një kub metalik 400 metra me 400 metra, që do të përmbante një kupolë me ekran gjigant të drejtuar nga inteligjenca artificiale – më i madhi në planet – të cilin vizitorët do ta shihnin nga një strukturë e brendshme në formë zigurati mbi 300 metra e lartë.

“Kur hyn në Mukaab, hyn në një botë tjetër,” kishte thënë drejtori ekzekutiv Michael Dyke në një konferencë në Riad në dhjetor, duke pranuar vështirësitë e realizimit të projektit. “Të përpiqesh të zgjidhësh diçka që sot nuk ekziston, është mjaft sfiduese.”

E ardhmja e projektit tani është e paqartë, pasi punimet përtej gërmimeve të tokës dhe vendosjes së pilotave janë pezulluar, thanë tre burime. Megjithatë, zhvillimi i pasurive të paluajtshme përreth pritet të vazhdojë, sipas pesë personave të njohur me planet.

Burimet përfshijnë persona të përfshirë drejtpërdrejt në zhvillimin e projektit dhe të tjerë të njohur me diskutimet e brendshme në PIF.

Zyrtarë nga PIF, qeveria saudite dhe projekti New Murabba nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.

 

PIF zhvendos fokusin drejt logjistikës, inteligjencës artificiale dhe minierave

Reuters raportoi në tetor se PIF po zhvendos strategjinë për t’u fokusuar te logjistika, minierat, inteligjenca artificiale dhe sektorë të tjerë që ofrojnë kthime më të shpejta, ndërsa presioni u shtua pas një uljeje me 8 miliardë dollarë të vlerës së investimeve në megaprojekte në fund të vitit 2024.

Arabia Saudite po kryen aktualisht një rishikim të plotë të disa projekteve madhore të Vizionit 2030.

Ministri i Ekonomisë, Faisal al-Ibrahim, i tha Reuters javën e kaluar: “Ne jemi shumë transparentë. Nuk do të hezitojmë të themi se na është dashur ta zhvendosim këtë projekt, ta vonojmë ose ta rikonceptojmë,” pa përmendur një projekt specifik.

Gjatë fundjavës, Arabia Saudite njoftoi gjithashtu se do të shtyjë pa afat organizimin e Lojërave Aziatike Dimërore 2029, që do të mbaheshin në Trojena, një tjetër megaprojekt i NEOM që ka hasur vonesa.

Megjithatë, Mukaab është projekti i parë në kryeqytetin saudit që raportohet se po rishqyrtohet për realizueshmëri.

Struktura ishte reklamuar si mjaft e madhe për të futur brenda 20 ndërtesa sa Empire State Building dhe për të ofruar rreth 2 milionë metra katrorë hapësirë të brendshme, duke e bërë atë strukturën e vetme më të madhe të ndërtuar në botë.

 

New Murabba mund të kushtojë 50 miliardë dollarë

Kompania konsulente e pasurive të paluajtshme Knight Frank vlerëson se distrikti New Murabba do të kushtojë rreth 50 miliardë dollarë – afërsisht sa Prodhimi i Brendshëm Bruto i Jordanisë – ndërsa projektet e porositura deri tani vlerësohen rreth 100 milionë dollarë.

Planet fillestare parashikonin përfundimin e distriktit deri në vitin 2030, por tani afati është shtyrë për në vitin 2040.

Zhvillimi synonte të strehonte 104 mijë njësi banimi dhe të shtonte 180 miliardë rialë në PBB-në e vendit, duke krijuar 334 mijë vende pune direkte dhe indirekte deri në vitin 2030, sipas vlerësimeve të mëparshme qeveritare.

Dizajni i Mukaab ka nxitur edhe kritika në rrjetet sociale për shkak të ngjashmërisë me Qaben, strukturën e shenjtë në qendër të Xhamisë së Madhe në Mekë, drejt së cilës myslimanët falen.

 

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Reuters