Vendosni fjalën kyçe....

30 viktima nga stuhia dimërore në SHBA


Stuhia dimërore e fundjavës, e ndjekur nga një valë e ftohti ekstrem, ka shkaktuar të paktën 30 viktima dhe ka lënë qindra mijëra persona pa energji elektrike për periudha të gjata, veçanërisht në jug të Shteteve të Bashkuara.

Dëmet më të rënda nga akulli dhe temperaturat e ulëta janë shënuar në një brez që shtrihet nga Teksasi lindor, përmes Luizianës dhe Misisipit, deri në Nashville të Tenesit. Autoritetet energjetike në Nashville paralajmëruan për ndërprerje të zgjatura pas stuhisë së cilësuar si “historike”, ndërsa guvernatori i Misisipit, Tate Reeves, urdhëroi dislokimin e deri në 500 pjesëtarëve të Gardës Kombëtare për ndihmë emergjente.

“Situata është pak a shumë si loja ‘whack-a-mole’ (godit nishanet): sapo një kompani shërbimi rikthen një zonë të madhe në rrjet, bie një pemë tjetër ose këputet një degë tjetër,” deklaroi Reeves të hënën. “Do t’ia dalim, por jo sot dhe as nesër. Kjo do të marrë kohë.”

Ndërkohë, rreth 175 milionë njerëz ndodhen nën alarme për temperatura jashtëzakonisht të ulëta që pritet të zgjasin për disa ditë. I ftohti ekstrem po thyen rekorde ditore në Rrafshnaltat e Mëdha, ndërsa rekorde të reja të temperaturave minimale priten në Jug dhe Lindje të vendit të paktën gjatë gjithë javës.

Meteorologët po ndjekin gjithashtu mundësinë e një tjetër stuhie të fuqishme dimërore që mund të godasë Bregun Lindor këtë fundjavë, megjithëse intensiteti dhe trajektorja e saj mbeten ende të pasigurta.

Të paktën dy duzina vdekjesh të lidhura me stuhinë dhe të ftohtin janë raportuar në disa shtete, përfshirë Teksasin, Luizianën, Tenesin, Pensilvaninë dhe Karolinën e Jugut. Sipas autoriteteve, disa prej tyre janë shkaktuar nga hipotermia, ndërsa të tjera lidhen me pastrimin e borës me lopatë. Disa raste të tjera vdekjesh janë ende nën hetim.

Në Luizianë, viktimat përfshijnë një burrë 46-vjeçar të përfshirë në një aksident automobilistik në rrugë të akullta; një burrë 62-vjeçar dhe një grua 59-vjeçare që dyshohet se humbën jetën nga hipotermia në banesat e tyre; si dhe një grua 79-vjeçare, pajisja mjekësore e së cilës dështoi gjatë një ndërprerjeje të energjisë elektrike.

Në Teksas, autoritetet raportuan se tre vëllezër, të moshës 6, 8 dhe 9 vjeç, humbën jetën pasi ranë përmes akullit në një pellg privat në veri të Dallasit. Po ashtu, dy vajza 16-vjeçare që po udhëtonin me një sajë të tërhequr nga një Jeep u përplasën me një pemë, duke shkaktuar vdekjen e njërës dhe plagosjen e rëndë të tjetrës.

Dëmtimet më të mëdha infrastrukturore u regjistruan në Jug, ku akulli i bëri rrugët jashtëzakonisht të rrëshqitshme, rrëzoi degë pemësh dhe rëndoi linjat e energjisë elektrike.

“Është njësoj sikur të ngasësh makinën mbi një kub akulli 30 milje të gjatë,” tha Tom Lindsey, koordinator pranë Menaxhimit të Emergjencave të Qarkut Tippah në Misisipi, shkruan CNN.

Deri të martën në mëngjes, qindra mijëra konsumatorë kishin rifituar energjinë elektrike, sipas të dhënave të PowerOutage.US, duke shënuar një përmirësim të ndjeshëm krahasuar me milionat e prekur më herët. Megjithatë, më shumë se gjysmë milioni klientë mbetën ende pa energji deri të martën pasdite, përfshirë rreth 170 mijë në Tenesi, rreth 140 mijë në Misisipi dhe pak më pak se 100 mijë në Luizianë.

Shtrirja e gjerë e stuhisë do të thotë se pothuajse i gjithë vendi po përballet, në një mënyrë apo tjetër, me pasojat e saj. Të hënën, bora mbulonte rreth 56% të shteteve kontinentale të SHBA-së (Lower 48), ndërsa të paktën 30 centimetra borë u regjistruan në 18 shtete, nga New Mexico deri në Maine.