
Kryeministri Edi Rama ka rrëfyer në Izrael për eksperiencat e strehimit të grupeve të rrezikuara gjatë historisë dhe sfidat e sigurisë digjitale që ka përballuar Shqipëria kohët e fundit.
Duke vazhduar historinë e strehimit të hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, Rama tha se njësoj janë strehuar dhe mijëra iranianë, të cilët për një periudhë rrezikuan seriozisht infrastrukturën digjitale shqiptare.
“Këtë e kemi bërë dhe me kombe të tjera. Nuk është diçka që e kemi bërë pa risk, përkundrazi. Ne i rezistuam sulmeve të egra që për pak shkatërruan infrastrukturën tonë digjitale. U këshilluam nga miqtë tanë të mëdhenj që mos të reagojmë në mënyrë të nxituar ndaj Iranit, sepse ata janë të mëdhenj,” tha Rama.
Ai theksoi gjithashtu se autoritetet shqiptare kanë ndërprerë çdo lidhje me regjimin iranian për të mbrojtur vendin, duke u kujdesur që veprimet të jenë të mençura dhe të kontrolluara.
“Ne kemi ndërprerë dhe lidhjen më të hollë që kishim me regjimin dhe kemi mbyllur çdo lidhje me ta. Një informacion që morëm nga një person me origjinë iraniane tregoi krimet e fundit në Iran, ku tregjet janë rrethuar nga dhuna. Ndërsa media raporton për rreth 30 mijë të vrarë, nuk shohim protesta për këtë në Evropë,” shtoi kreu i qeverisë.
Rama theksoi se vendimi për të ofruar strehim dhe mbrojtje nuk është pa rreziqe, por është një akt i domosdoshëm humanitar dhe i mençur në kontekstin e sigurisë kombëtare dhe ndërkombëtare.