Vendosni fjalën kyçe....

Rama me Netanyahun: Shqipëria kundër antisemitizmit, solidaritet me palestinezët pa urrejtje ndaj Izraelit


Kryeministri Edi Rama deklaroi se Shqipëria dhe Izraeli ndajnë marrëdhënie të shkëlqyera, të ndërtuara mbi një miqësi historike mes dy popujve, duke theksuar se vendi ynë mban një qëndrim të palëkundur kundër antisemitizmit, si brenda territorit ashtu edhe në arenën ndërkombëtare.

Gjatë fjalës së tij në konferencën e përbashkët me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, Rama u ndal te trashëgimia historike e Shqipërisë në mbrojtjen e hebrenjve gjatë Holokaustit, duke e cilësuar këtë si një dëshmi të kurajës morale të shqiptarëve ndër breza.

Ai theksoi se, edhe pse shumica e popullsisë shqiptare është myslimane dhe është solidarizuar me vuajtjet e popullit palestinez gjatë luftës në Gaza, kjo nuk është shoqëruar me shfaqje urrejtjeje ndaj Izraelit apo komunitetit hebre.

“Dua ta theksoj edhe një herë se Shqipëria dhe Izraeli ndajnë marrëdhënie të shkëlqyera që i kanë rrënjët në miqësinë e thellë midis popujve shqiptar dhe hebre, farkëtuar përmes shekujsh historie. Trashëgimia unike historike e Shqipërisë në mbrojtjen e hebrenjve gjatë Holokaustit e bën këtë lidhje thellësisht të veçantë. Qeveria është plotësisht e përkushtuar për ta kremtuar këtë trashëgimi dhe mban një qëndrim të qartë e të pandryshuar kundër antisemitizmit,” u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë nënvizoi se shqiptarët kanë treguar maturi dhe tolerancë, ndryshe nga shumë vende të tjera europiane ku, sipas tij, antisemitizmi është rikthyer si një fenomen shqetësues.

“Edhe pse popullsia shqiptare u bashkua me solidaritetin për vuajtjen e popullit të thjeshtë palestinez, shqiptarët nuk u mblodhën në mitingje urrejtjeje kundër Izraelit dhe as projektuan zemërimin e tyre mbi vizitorët hebrenj në vendin tonë. Shqipëria qëndron në mënyrë të palëkundur kundër antisemitizmit, po aq sa qëndron kundër islamofobisë,” shtoi Rama.

Ai theksoi se Shqipëria refuzon të lejojë që urrejtja apo diskriminimi të udhëheqin politikën, veprimet apo marrëdhëniet e saj me popuj dhe shtete të tjera, duke e konsideruar tolerancën fetare dhe bashkëjetesën si vlera themelore të shoqërisë shqiptare.