Vendosni fjalën kyçe....

Banorët kundërshtojnë zgjerimin e resortit luksoz, qeveria greke ndalon projektin


Ministria e Mjedisit e Greqisë ka ndërmarrë hapa për të pezulluar ndërtimin që lidhet me zgjerimin e hotelit Ëhite Coast në ishullin e Milosit, duke argumentuar se projekti përbën një ndërhyrje të gjerë në zonën e Mytakas, çka ka shkaktuar reagime dhe kundërshtime të forta nga banorët vendas.

Bashkia e Milosit ka paraqitur një ankesë në Këshillin e Shtetit kundër licencimit të projektit dhe, njëkohësisht, ka informuar autoritetet kompetente për një sërë parregullsish të konstatuara.

Kryebashkiaku i Milosit, Manolis Mikelis, deklaroi se gjatë një inspektimi zyrtar janë evidentuar shkelje konkrete. Ai theksoi se bëhet fjalë për një ndërhyrje tepër të madhe, e cila në disa pika shtrihet deri disa metra mbi nivelin e detit. Hoteli kishte marrë fillimisht leje ndërtimi në vitin 2019 për një kapacitet prej 99 krevatesh.

Kjo leje u rishikua dy herë, në vitet 2021 dhe 2024, për të lejuar zgjerimin në dy parcela fqinje, duke shtuar edhe 167 krevate të tjera në 75 dhoma shtesë. Sipas miratimit mjedisor të lëshuar në gusht të vitit 2024, hoteli me pesë yje parashikohej të shtrihej në një sipërfaqe prej 2.94 hektarësh, me gjithsej 271 krevate të shpërndara në 125 dhoma.

Planet e zgjerimit përfshijnë ndërtimin e 10 godinave të reja, një pishinë të përbashkët, si edhe pishina private për dhomat në shtatë prej ndërtesave.

Në funksionim me kapacitet të plotë, hoteli do të kishte nevojë për rreth 122 metra kub ujë në ditë për konsum dhe rreth 108 metra kub për vaditje. Milosi, i cili ndodhet në Kikladat jugore, është një ishull me mungesë burimesh ujore dhe furnizohet prej më shumë se një dekade përmes impianteve të shkripëzimit, shkruan Ekathimerini.

Ndërkohë, autoritetet po shqyrtojnë edhe çështjen e aksesit në truall, pasi dokumentacioni i lejeve mjedisore tregon se hyrja në zonë bëhet përmes një rruge bujqësore të papasfaltuar, statusi ligjor i së cilës mbetet për t’u verifikuar.