
Një sulm i armatosur është regjistruar në një fushë futbolli në shtetin qendror meksikan Guanajuato, ku një grup personash të armatosur hapi zjarr ndaj të pranishmëve, duke shkaktuar të paktën 11 viktima dhe 12 të plagosur, kanë bërë të ditur autoritetet lokale për DW.
Sipas kryetarit të bashkisë së Salamancës, Cesar Prieto, mes viktimave ndodhen edhe një grua dhe një fëmijë. Ai deklaroi se autorët mbërritën në fushë në përfundim të ndeshjes së futbollit dhe hapën zjarr ndaj turmës, ndërsa motivi i sulmit mbetet ende i paqartë.
“Ky incident i shtohet valës së dhunës që po përjetojmë fatkeqësisht në shtet, veçanërisht në Salamanca,” u shpreh Prieto, duke theksuar se grupet kriminale po përpiqen të ushtrojnë presion mbi autoritetet. Ai i bëri gjithashtu thirrje presidentes së Meksikës, Claudia Sheinbaum, për mbështetje në përballimin e situatës së sigurisë.
Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Guanajuatos njoftoi se ka nisur hetim për ngjarjen dhe se autoritetet janë duke bashkërenduar veprimet për rritjen e sigurisë në zonë, mbrojtjen e qytetarëve dhe identifikimin e autorëve të sulmit.
Guanajuato, ndonëse është një destinacion i rëndësishëm turistik dhe qendër industriale, konsiderohet aktualisht shteti më vdekjeprurës në Meksikë për shkak të përplasjeve të vazhdueshme mes grupeve kriminale, sipas statistikave zyrtare të vrasjeve.