
Serbia do të përshpejtojë përgatitjet për termocentralet e saj të para bërthamore, teksa përballet me një rritje të konsumit ndërkohë që përpiqet të nxjerrë jashtë përdorimit njësitë e vjetruara termike, tha Presidenti Aleksandar Vuçiç.
Qeveria duhet të ndryshojë urgjentisht ligjet për të mundësuar ndërtimin e reaktorëve të vegjël bërthamorë (SMR) dhe të zgjedhë midis projekteve të ofruara nga ndërtues nga Kina, Japonia, SHBA, Franca dhe Korea e Jugut, tha Vuçiç të dielën, duke folur në një mbledhje të hapur me Kryeministrin Gjuro Maçut dhe ministrat e kabinetit të tij, shkruan Bloomberg.
Serbia ka një marrëveshje kuadër jo-detyruese për zhvillimin e energjisë bërthamore me kompaninë franceze EDF, por oferta janë të mundshme edhe nga Rosatom-i i Rusisë dhe Westinghouse me bazë në SHBA, tha ai.
“Sapo fola me EDF-në dhe i kërkova të vijnë këtu brenda 15 ditësh,” tha Vuçiç, duke paralajmëruar se autoritetet duhet të shmangin një krizë energjetike në të cilën “njerëzit vdesin në errësirë”. Serbia hoqi ndalimin e saj disa dekadash mbi energjinë bërthamore në nëntor 2024, por duhet të rregullojë projektet e ardhshme atomike.
Prodhimi është në rënie te prodhuesi dominues shtetëror i energjisë në këtë vend ballkanik, Elektroprivreda Srbije (EPS). Ky trend ka të ngjarë të përshpejtohet pasi, si kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Serbia duhet të nxjerrë gradualisht jashtë përdorimit pothuajse një duzinë të njësive të saj më të vjetra me qymyr, tha Vuçiç.
Impiantet bërthamore do ta ndihmojnë gjithashtu Serbinë të reduktojë kostot nga Mekanizmi i Bashkimit Evropian për Rregullimin e Kufirit të Karbonit (CBAM), një taksë mbi importet nga vendet me standarde më të dobëta të ndotjes. Një rritje e mprehtë e konsumit të energjisë pritet gjatë viteve të ardhshme, e nxitur nga të paktën katër qendra të reja të dhënash (data centers) që qeveria planifikon për të përqafuar përdorimin e AI.