Vendosni fjalën kyçe....

Rama viziton Jeruzalemin për Konferencën Ndërkombëtare kundër Antisemitizmit, takime me autoritetet izraelite



Kryeministri Edi Rama do të zhvillojë një vizitë pune në Jeruzalem, Izrael, më 25–27 janar, për të marrë pjesë në Konferencën Ndërkombëtare për Luftën kundër Antisemitizmit. Në këtë vizitë, ai do të shoqërohet nga delegacioni shqiptar dhe bashkëshortja e tij, Linda Rama.

Sipas axhendës zyrtare:

  • 26 janar, 11:00 – 12:30: Rama do të zhvillojë një takim kokë më kokë me Kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, i cili do të pasohet nga takimi mes dy delegacioneve dhe një deklaratë për shtyp. Paralelisht, Linda Rama do të vizitojë Bibliotekën Kombëtare në shoqërinë e znj. Herzog, bashkëshortes së Presidentit izraelit, Isaac Herzog.

  • 14:00: Kryeministri Rama dhe Linda Rama do të mbërrijnë në Knesset “Plaza”, ku do të priten me ceremoni shtetërore, përfshirë rojet e nderit, himnet kombëtare dhe vendosjen e kurorave në monumentet për ushtarët e rënë dhe viktimat e terrorizmit. Rama gjithashtu do të firmosë Librin e Përshtypjeve në Hollin Shagall.

  • 14:30: Takim me Kryetarin e Knessetit, Amir Ohana.

  • 16:15: Seancë plenare speciale e Knessetit, ku do të mbajnë fjalë Kryetari i Knessetit, Kryeministri i Izraelit Benjamin Netanyahu, Lideri i Opozitës Yair Lapid, si dhe Kryeministri Rama.

  • 17:15: Pritje zyrtare në Jerusalem Hall të Knessetit me pjesëmarrjen e ambasadorëve dhe të ftuarve të posaçëm. Në të njëjtën kohë, Linda Rama do të zhvillojë një takim me gratë parlamentare.

  • 27 janar: Rama do të marrë pjesë në Konferencën Ndërkombëtare për Luftën kundër Antisemitizmit, ku do të mbajë një fjalë përpara Presidentit të Izraelit, Isaac Herzog.

Gjatë qëndrimit në Jeruzalem, Kryeministri Rama do të kryejë gjithashtu vizita simbolike në Western Wall (Muri i Lotëve) dhe në Kishën e Varrit të Krishtit.

Kjo vizitë shënon një angazhim të Shqipërisë në luftën kundër antisemitizmit dhe forcimin e marrëdhënieve diplomatike me Izraelin.