Vendosni fjalën kyçe....

Rama reagon për protestën e PD-së: Akt dhune i organizuar, i papranueshëm në një vend europian



Kryeministri Edi Rama ka reaguar në rrjetin social X lidhur me protestën e zhvilluar një ditë më parë nga Partia Demokratike, duke e cilësuar atë si një akt dhune të organizuar dhe të papranueshëm për një vend europian.

Në reagimin e tij, Rama shkruan se në Europë ekzistojnë forma të ndryshme protestash dhe protestuesish, duke përmendur grupe të ndryshme si anarkistë, ekologjistë, studentë apo edhe grupe ekstremiste, të cilat sipas tij, në raste të caktuara kryejnë akte vandalizmi, dëmtojnë prona dhe plagosin punonjës të policisë. Megjithatë, ai thekson se sipas vlerësimit të tij, ekziston vetëm një parti parlamentare në Europë që e ka dhunën pjesë të pandarë të veprimtarisë politike që nga krijimi i saj.

“Është një parti që ka në program shkatërrimin e pronës, sulmin ndaj institucioneve dhe mobilizimin e grupeve paramilitare”, shkruan Rama, duke shtuar se këto grupe, sipas tij, më herët kanë qenë të lidhura me drejtuesit e saj, ndërsa sot janë rekrutuar përmes pagesave.

Kryeministri shprehet gjithashtu se protestat e fundit kanë lënë pas ndotje dhe dëmtime në bulevard, duke i cilësuar ato si shenjë të një degradimi dhe dëshpërimi politik. Në reagimin e tij, Rama përdor edhe gjuhë të ashpër ndaj organizatorëve të protestës.

Në përfundim, Kryeministri Edi Rama u ka uruar shërim të shpejtë punonjësve të Policisë së Shtetit që u plagosën gjatë protestës.