Vendosni fjalën kyçe....

Macron kërkon përshpejtimin e ligjit për ndalimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën 15 vjeç në Francë



Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka bërë të ditur se dëshiron të përshpejtojë procedurat ligjore për miratimin e një ndalese të rrjeteve sociale për fëmijët nën moshën 15 vjeç, me synimin që masa të hyjë në fuqi që në fillim të vitit të ri shkollor, në shtator, përcjell Euronews.

Në një video të publikuar nga media franceze BFM-TV, Macron tha se i ka kërkuar qeverisë të nisë një procedurë të përshpejtuar, në mënyrë që projektligji të shqyrtohet dhe miratohet në Senat brenda afatit të nevojshëm. Sipas tij, mbrojtja e fëmijëve nga ndikimet negative të platformave digjitale duhet të jetë prioritet shtetëror.

“Truri i fëmijëve dhe i adoleshentëve tanë nuk është për shitje. As emocionet e tyre nuk janë për t’u manipuluar, qoftë nga platformat amerikane apo algoritmet kineze,” u shpreh Macron.

Nisma e presidentit francez mbështetet edhe nga të dhënat e autoritetit shëndetësor francez ANSES, sipas të cilit një në dy adoleshentë në Francë kalon nga dy deri në pesë orë në ditë në telefonin inteligjent. Raporti i publikuar në dhjetor tregon se gati 90% e të rinjve të moshës 12–17 vjeç përdorin çdo ditë smartfonin për të hyrë në internet, ndërsa 58% e tyre e përdorin kryesisht për rrjetet sociale.

Sipas raportit, përdorimi i tepruar i rrjeteve sociale lidhet me pasoja të dëmshme, si ulja e vetëvlerësimit dhe rritja e ekspozimit ndaj përmbajtjeve të rrezikshme, përfshirë vetëlëndimin, përdorimin e drogës dhe nxitjen e vetëvrasjes. Në Francë, disa familje kanë depozituar padi ndaj platformës TikTok, duke e lidhur përmbajtjen e saj me raste vetëvrasjesh te adoleshentët.

Macron deklaroi gjithashtu se përveç ndalimit të rrjeteve sociale për fëmijët nën 15 vjeç, synohet edhe ndalimi i përdorimit të telefonave celularë në shkollat e mesme. Projektligji pritet të diskutohet në seancë publike në ditët në vijim.

Nisma franceze vjen në një kohë kur edhe vende të tjera po shqyrtojnë masa të ngjashme. Së fundmi, Australia ka miratuar një ligj që ndalon përdorimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën 16 vjeç, duke nxitur debat të gjerë ndërkombëtar mbi sigurinë digjitale dhe shëndetin mendor të të rinjve.