
Autoritetet kanë njoftuar se më 26 janar 2026, për shkak të një proteste të organizuar nga një shoqatë e transportit të mallrave në Maqedoninë e Veriut, do të ketë bllokim të përkohshëm të hyrjes dhe daljes së mjeteve transportuese të mallrave në pikat kufitare që lidhin Shqipërinë me këtë vend.
Sipas njoftimit, nga ora 00:01 e 26 janarit do të bllokohet hyrja e mjeteve transportuese, ndërsa nga ora 12:00 e së njëjtës ditë do të bllokohet edhe dalja nga territori i Maqedonisë së Veriut.
Nga ky bllokim përjashtohen mjetet e tonazhit të rëndë që transportojnë medikamente ose bagëti, të cilat do të lejohen të qarkullojnë normalisht. Po ashtu, lëvizja e automjeteve të udhëtarëve nuk do të preket dhe do të vijojë pa kufizime.
Autoritetet u bëjnë thirrje subjekteve të transportit dhe qytetarëve të informohen paraprakisht dhe të marrin masat e nevojshme, për të shmangur vonesat dhe vështirësitë gjatë periudhës së protestës.