Vendosni fjalën kyçe....

Balta dhe inertet pushtojnë rrugën Librazhd–Prrenjas, qarkullimi i rrezikuar pas reshjeve



Rruga nacionale Librazhd–Prrenjas është përfshirë nga balta dhe inertet pas reshjeve të fundit që kanë prekur zonën, duke krijuar vështirësi serioze në qarkullimin e automjeteve dhe rrezik për sigurinë rrugore.

Drejtuesit e mjeteve raportojnë se lëvizja në këtë aks është bërë e vështirë, ndërsa prania e baltës dhe materialeve inerte në disa segmente e bën rrugën të rrëshqitshme dhe problematike, veçanërisht në orët me trafik të shtuar.

Situata rëndohet edhe më tej nga trafiku i vazhdueshëm në këtë aks, i cili ka qenë një problem konstant gjatë muajve të fundit, për shkak të punimeve që po kryhen për ndërtimin e autostradës së Korridorit VIII.

Sipas raportimeve, firma që po zbaton punimet ka zvarritur afatet, ndërsa kantieret përgjatë rrugës mbeten të hapura prej muajsh, çka ka ndikuar drejtpërdrejt në përkeqësimin e kushteve të qarkullimit, sidomos pas reshjeve.

Rruga Librazhd–Prrenjas është ndarë në disa lote ndërtimi, me kontratat përkatëse të tenderuara më herët nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë. Ndërkohë, qytetarët dhe drejtuesit e automjeteve kërkojnë ndërhyrje të shpejtë për pastrimin e rrugës dhe përshpejtimin e punimeve, në mënyrë që të shmangen aksidentet dhe bllokimet e mëtejshme.