Vendosni fjalën kyçe....

Orban fiton zgjedhjet në Hungari: S’kemi pasur kurrë kaq shumë kundërshtarë. Opozitën, Sorosin, Brukselin e mediat ndërkombëtare


Viktor Orban i Hungarisë, ka shpallur fitoren në zgjedhjet e së dielës duke shkuar drejt mandatit të katërt si kryeministër.

Ai tha se partia e tij ishte fituese pavarësisht se u përball me ndërhyrjen e forcave të majta në vend dhe ‘kundërshtarëve’ në mbarë botën, duke përfshirë presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe aktivistin politik miliarder George Soros.

“Ne kemi një fitore të tillë që mund të shihet nga hëna, por është e sigurt që mund të shihet nga Brukseli”, u tha Orban mbështetësve të dielën mbrëma, duke nënkuptuar përplasjet e partisë së tij me liderët e BE-së.

“Ne do ta kujtojmë këtë fitore deri në fund të jetës sonë, sepse na u desh të luftonim kundër një numri të madh kundërshtarësh.”

Ato forca përfshinin jo vetëm partitë opozitare të Hungarisë, tha ai, por edhe ‘burokratët e Brukselit, perandorinë Soros, me të gjitha paratë e saj, mediat kryesore ndërkombëtare, dhe në fund, edhe presidentin ukrainas. Nuk kemi pasur kurrë kaq shumë kundërshtarë në të njëjtën kohë.” – theksoi Orban.

Koalicioni i udhëhequr nga Fidesz i Orban ka shtypur një bllok prej gjashtë partish opozitare në zgjedhjet e së dielës dhe me mbi 90% të votave të numëruara parashikohet të sigurojë vende të mjaftueshme parlamentare për një tjetër supershumicë kushtetuese.

“E gjithë bota mund të shohë se marka jonë e politikës kristiandemokratike, konservatore, patriotike ka fituar.” – deklaroi Orban.

Në prag të zgjedhjeve, Orban u portretizua si ‘pro-Putin’ nga kundërshtarët dhe mediat perëndimore, për shkak të mosmbajtjes së një qëndrimi të fortë kundër presidentit rus Putin lidhur me sulmin e Moskës ndaj Ukrainës.