Vendosni fjalën kyçe....

Protesta e opozitës para Kryeministrisë, Boçi: Kjo godinë nuk është qeveria, por hajnia e shtetit


Nënkryetari i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, hapi fjalimet në protestën e opozitës të zhvilluar këtë të shtunë në sheshin para Kryeministrisë, duke akuzuar ashpër kryeministrin Edi Rama për, sipas tij, kapjen e shtetit dhe shndërrimin e qeverisjes në një sistem korrupsioni të institucionalizuar.

“Sot nuk jemi mbledhur për spektakël politik as për t’u numëruar nga dronët vampirë të medias së Edi Ramës. Nuk jemi mbledhur sot as për t’u parë me urrejtje nga perdet e dritaret e frikës së pushtetit dhe as për të shpërndarë urrejtje për krimbat. Ne jemi këtu sepse vlerësojmë jetën, na ka thirrur dashuria për familjen, dinjiteti ynë, rezistenca”, tha Boçi.

Ai akuzoi kryeministrin se e ka kthyer shtetin në pronë private: “Jemi thirrur këtu nga ndërgjegjia, sepse Shqipëria jonë nuk e duron më faktin që të drejtohet nga një njeri që e ka kthyer shtetin në pronë private dhe qeverinë në klub të mbyllur qejfi dhe ahengu. Kjo ndërtesë nuk është kryeministria por kuplaraja e shtetit.”

Boçi shtoi se qytetarët kanë detyrë të rrëzojnë këtë pushtet: “Dhe ne duhet ta shembim këtë pushtet dhe aty nuk është vendi i qeverisë por vendi i hajnisë. Është detyrë e historisë, para të gjithë qytetarëve.”

Ai gjithashtu denoncoi korrupsionin në projekte të mëdha publike: “Këtu vjedhja ka emër dhe shifra, fillon me inceneratorët, më pas me tunelet, aeroportet. Pak për indiferencën tonë politike, pak nga verbëria e ndërkombëtarëve, më së shumti nga krimi i organizuar, e ktheu Republikën e Shqipërisë, në Republikën e korrupsionit. Ditë pas dite i zhvati tokë, pasuri njerëz kësaj republike.”