Vendosni fjalën kyçe....

Veliaj padit Presidentin dhe Ols Dadon në Gjykatën Administrative


Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka paditur institucionin e Presidentit të Republikës dhe prokurorin Ols Dado.

Veliaj ka depozituar sot kërkesë-padinë në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, e cila i referohet dekretit të nxjerrë në periudhën 2007–2012.

Sipas padisë, Ols Dado nuk ka përmbushur kriteret ligjore për emërimin si prokuror, pasi nuk ka përfunduar Shkollën e Magjistraturës, nuk ka ushtruar më parë funksionin e gjyqtarit apo prokurorit dhe nuk ka mbajtur asnjë nga funksionet e posaçme të parashikuara në nenin 18 të ligjit nr. 8737.

Në padi theksohet se, para emërimit, Dado ka ushtruar profesionin e noterit, i cili nuk përfshihet në kategoritë ligjore që lejojnë emërimin në detyrën e prokurorit. 

“Nga provat e depozituara rezulton se z. Olsi Dado ka përfunduar arsimin e lartë juridik, por nuk ka përfunduar Shkollën e Magjistraturës, nuk ka ushtruar më parë funksionin e gjyqtarit apo prokurorit dhe nuk ka mbajtur asnjë nga funksionet e posaçme të renditura në nenin 18 të ligjit nr. 8737. Para emërimit të tij, ai ka ushtruar profesionin e noterit, i cili nuk bën pjesë dhe nuk mund të përfshihet në asnjë nga kategoritë ligjore të përcaktuara si kritere të posaçme për emërimin si prokuror. Për pasojë, ai nuk ka qenë subjekt i vlefshëm ligjor për t’u emëruar në detyrën e prokurorit të Republikës së Shqipërisë”, thotë padia.

Më tej në padi shtohet se “nxjerrja e një dekreti pa kryer këtë verifikim përbën shkelje flagrante të procedurës së kërkuar nga ligji.”

Veliaj kërkon gjithashtu, që Këshilli i Lartë i Prokurorisë të detyrohet të marrë vendim për përfundimin e menjëhershëm të statusit të magjistratit dhe ushtrimit në mënyrë të paligjshme të detyrës të prokurorit në fjalë.

“Si pasojë logjike e konstatimit të pavlefshmërisë absolute të dekretit, lind detyrimi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë për të marrë menjëherë masat e duhura për përfundimin e statusit të magjistratit të z. Olsi Dado dhe ndërprerjen e ushtrimit të funksionit nga ana e tij”, konstaton padia.

Për të lexuar dokumentin e plotë kliko Këtu