
Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka kritikuar ashpër sjelljen e kryeministrit Edi Rama gjatë seancës së kësaj të enjteje në Kuvend, duke e cilësuar atë si “qesharake” dhe të motivuar nga përpjekja për t’i shpëtuar drejtësisë.
Sipas Shehajt, mënyra se si Rama e paraqet ftesën për përfshirjen e Shqipërisë në Bordin e Paqes nuk është një arritje reale, por një përpjekje për të ndikuar në opinionin publik dhe për të ushtruar presion mbi institucionet e drejtësisë.
“Rama po përpiqet t’i tregojë opinionit publik se do të shpëtojë nga drejtësia, por kjo është mashtrim. Ai mendon se Perëndimi funksionon si në Shqipëri, si në një republikë bananesh ku nuk ka drejtësi. Por kjo drejtësi tashmë është si shejtani që ka dalë nga shishja dhe Rama nuk e fut dot më brenda”, deklaroi Shehaj.
Ai shtoi se deklaratat e kryeministrit në Kuvend dhe “shitja” e letrës së Bordit të Paqes si sukses lidhen drejtpërdrejt me përpjekjen e Ramës për t’i shpëtuar përgjegjësisë ligjore.
Duke komentuar edhe ekspozimin e Ramës me Ivanka Trump, Shehaj u shpreh se kjo është pjesë e së njëjtës strategji për të ndikuar në drejtësi, në një moment kur pritet një vendim i rëndësishëm nga Gjykata Kushtetuese.
“Ne do të kuptojmë nëse Rama mund të mbrohet pas 83 mandateve që përmend vazhdimisht, apo nëse është i barabartë para ligjit si çdo qytetar tjetër. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese lidhen drejtpërdrejt me fundin e pandëshkueshmërisë në Shqipëri”, përfundoi Shehaj.