Vendosni fjalën kyçe....

Musk rikthehet në politikë, do mbështesë Republikanët në zgjedhjet afatmesme


Elon Musk po përgatitet të rikthehet aktivisht në politikë, duke vënë peshën e tij financiare dhe mediatike në mbështetje të Partisë Republikane përpara zgjedhjeve vendimtare afatmesme në SHBA, pavarësisht ftohjes së marrëdhënieve të tij me Presidentin Donald Trump, raportoi Wall Street Journal duke cituar burime të njohura me çështjen.

Sipas gazetës, Musk, pronar i platformës X, SpaceX dhe Tesla, është kontaktuar nga figura të larta republikane, përfshirë Zëvendëspresidentin J.D. Vance, me synimin për të ndihmuar GOP-in të ruajë shumicën në të dyja dhomat e Kongresit.

Në këtë kontekst, Musk thuhet se ka dhuruar 10 milionë dollarë për një “super PAC” që mbështet biznesmenin nga Kentaki, Nate Morris, i cili po kandidon për vendin në Senat që do të lirohet nga Mitch McConnell.

Burimet e WSJ-së bëjnë të ditur gjithashtu se ekipi politik i Musk ka zhvilluar takime javët e fundit me ofrues të mundshëm shërbimesh, me fokus te fushatat digjitale dhe sistemet e mesazheve telefonike, ndërsa objektivi kryesor për zgjedhjet e nëntorit është mobilizimi i votuesve që më parë kanë mbështetur Trump-in, por që zakonisht nuk tregojnë interes për zgjedhjet kongresionale.

Megjithatë, planet konkrete dhe shkalla e përfshirjes së Musk nuk konsiderohen ende përfundimtare, pasi nuk ka qartësi mbi mekanizmat e saktë që do të përdoren për mbështetjen e Partisë Republikane.

Musk pati një rol vendimtar në ciklin zgjedhor të vitit 2024, kur, sipas Washington Post, dhuroi rreth 288 milionë dollarë për të mbështetur Trump-in dhe kandidatë të tjerë republikanë. Pas fitores së Trump-it, ai u emërua në krye të Departamentit të Efiçencës Qeveritare (DOGE), një strukturë që më pas u shpërbë, shkruan Rt.

Marrëdhëniet mes Musk dhe Trump u tensionuan në mesin e vitit 2025, kur miliarderi kritikoi ashpër paketën kryesore të taksave dhe shpenzimeve të administratës, duke e cilësuar atë si “krejtësisht të çmendur dhe shkatërruese”.

Pavarësisht kësaj përplasjeje, të dy duket se kanë lënë pas mosmarrëveshjet, pasi u panë së bashku në një shërbim përkujtimor për aktivistin konservator Charlie Kirk, ndërsa më pas u publikuan edhe fotografi që i tregonin duke darkuar bashkë.