
Dy vëllezër shqiptarë, me precedentë penalë në Greqi, janë arrestuar nga policia greke si autorë të dyshuar të shpërthimit me eksploziv të diskotekës “Jacky.O”, në rrugën Michalakopoulou të Athinës, mbrëmjen e 7 tetorit 2025.
Në pranga ranë Blerim Buci, 41 vjeç, dhe Besmir Buci, 32 vjeç, të dy banues në Tiranë. Përveç akuzës për vendosjen e eksplozivit, ndaj tyre ishte aktiv edhe një urdhër arresti për shkelje të kushteve kufizuese të qëndrimit, grabitje dhe shkelje të ligjeve për armët.
Sipas hetimeve, 32-vjeçari Besmir Buci pasi parkoi automjetin pranë lokalit, iu afrua objektit në këmbë, ku vendosi dhe aktivizoi një pajisje shpërthyese të improvizuar. Më pas ai u kthye në automjet, ku e priste vëllai i tij, dhe të dy u larguan nga vendngjarja. Autoritetet konfirmojnë se automjeti ishte siguruar nga një bashkëpunëtor i tyre, një shtetas grek 44 vjeç.
Gjatë kontrolleve, policia sekuestroi një thikë palosëse, tetë telefona celularë, një pajisje telekomandimi me ekran, dy fletore me shënime, veshje të përdorura gjatë aktit dhe automjetin e përdorur për shpërthimin.
Njëri prej të arrestuarve ka pranuar pjesërisht veprën, duke deklaruar se ishte punësuar nga një çift që kishte konflikte të vjetra me pronarin e lokalit dhe se për vendosjen e bombës kishte marrë 5 mijë euro. Sipas policisë, shpërthimi kishte karakter paralajmërues dhe lidhej me kërkesa për para në këmbim të “mbrojtjes”, të cilat pronari i diskotekës i kishte refuzuar.
Gjatë operacionit për kapjen e tyre, 41-vjeçari Blerim Buci u gjet i fshehur në një zonë të izoluar dhe tentoi t’i rezistonte arrestimit, duke goditur efektivët, por u neutralizua. Të dy të arrestuarit, të njohur për precedentë të mëparshëm penalë, janë dërguar pranë autoritetit kompetent të ndjekjes penale.