
Me rastin e njëvjetorit të ndarjes nga jeta të Kryepiskopit të lumur Anastas, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, nën kujdesin e Fortlumturisë së Tij Joan, Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe Gjithë Shqipërisë, ka organizuar një sërë aktivitetesh përkujtimore, në qendër të të cilave është Konferenca Ndërkombëtare Shkencore me temë: “Kryepiskopi Anastas, madhështia në të bërët dhe në të mësuarit” (Mt. 15:19).
Konferenca organizohet nga Departamenti i Teologjisë dhe Kulturës i Kolegjit Universitar “Logos” dhe zhvillon punimet nga data 22 deri më 24 janar 2026. Aktivitetet përkujtimore do të kulmojnë të dielën, më 25 janar 2026, në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë.
Sipas njoftimit zyrtar të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, ditën e diel do të kryhen Mëngjesorja dhe Liturgjia Hyjnore nga ora 7:30 deri në 10:30, në drejtimin e Fortlumturisë së Tij Kryepiskopit Joan, së bashku me anëtarët e Sinodit të Shenjtë, me pjesëmarrjen e të ftuarve dhe besimtarëve. Pas Liturgjisë, në orën 10:30, do të zhvillohet Shërbesa e Përshpirtjes në përkujtim të Kryepiskopit të lumur Anastas.
Punimet e Konferencës Ndërkombëtare u hapën zyrtarisht të enjten pasdite, më 22 janar 2026, në auditorin qendror të Kolegjit Universitar “Logos”. Fjalë përshëndetëse mbajtën Rektori i Kolegjit Universitar “Logos”, i cili vlerësoi vizionin largpamës të Kryepiskopit Anastas në themelimin dhe zhvillimin e këtij institucioni me moton “Dritë dhe fuqi jete”, Arqipeshkvi i Kishës Katolike në Shqipëri, Shkëlqesia e Tij Arjan Dodaj, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij Haxhi Dede Edmond Brahimaj, si dhe Kryetari i Vëllazërisë Ungjillore, Erjon Sylari.
Pas prezantimit të jetës dhe veprës së Kryepiskopit Anastas përmes një materiali filmik, u përcoll fjala përshëndetëse e Tërëshenjtërisë së Tij, Patriarkut Ekumenik Bartholomeu. Në mesazhin e tij, Patriarku Ekumenik theksoi se tema e Konferencës përmbledh qartë ethosin kishtar dhe vizionin misionar të Kryepiskopit Anastas, duke nënvizuar se në jetën e tij mësimi nuk u nda kurrë nga veprimi baritor, ndërsa ungjillëzimi ishte gjithmonë i shoqëruar me përulësi, dialog dhe dashuri.
Fjalë përshëndetëse mbajtën gjithashtu Ambasadorja e Greqisë në Shqipëri, znj. Lambrini Komini, znj. Ksanthi Morfi, eksperte e komunikimit pranë Këshillit Botëror të Kishave, e cila përcolli mesazhin e Kryepiskopit Vicken Aykazian, si dhe Mitropoliti i Gjermanisë Qendrore, Dr. Isaac Barakat.
Gjatë sesionit të parë, znj. Blerina Bombaj ndau përvojën e saj personale me Kryepiskopin Anastas, ndërsa Prof. Dr. Vasil Tole mbajti kumtesën me temë: “Kryepiskopi Anastas, Rindërtuesi i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë”.
Fjalën kryesore e mbajti Fortlumturia e Tij Kryepiskopi Joan, me temë “Kontributi teologjik dhe eklesiastik i Kryepiskopit Anastas”, duke shpallur zyrtarisht hapjen e punimeve të Konferencës. Në fjalën e tij, Kryepiskopi Joan theksoi se jeta dhe vepra e Kryepiskopit Anastas përbëjnë një shembull të gjallë besimi dhe frymëzimi të vazhdueshëm për brezat e sotëm dhe të ardhshëm, duke rikujtuar thënien e tij të njohur: “Perëndia nuk do të na braktisë”.
Ndër temat e trajtuara ishte edhe kumtesa e atë Martin Ritsit, Drejtor i Qendrës së Misionit të Krishterë Orthodhoks në Amerikë, me temë: “Ringjallja e misionit në shekullin XX: mësime të nxjerra dhe parime udhëzuese për sot dhe për të ardhmen”.
Programi i ditës së parë u mbyll me himne të interpretuara nga dy koret e Katedrales “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë. Konferenca vijon punimet në Kampusin e Kolegjit Universitar “Logos” në Shën Vlash, Durrës.