Vendosni fjalën kyçe....

Tregtari i sanksionuar i naftës padit “mashtruesin e pacipë” për lidhjen e supozuar me CIA-n


Niels Troost, i vetmi evropian që është goditur nga sanksionet për tregti me naftë ruse, ka ngritur padi kundër ish-partnerit të tij të biznesit për krim të organizuar dhe përfaqësim mashtrues, duke e akuzuar se ka pretenduar në mënyrë të rreme se ishte operativ i fshehtë i CIA-s.

Padia është zhvillimi më i fundit në një përplasje të ashpër me Gaurav Srivastava, i cili në vitin 2022 bleu gjysmën e kompanisë Paramount Energy & Commodities me seli në Gjenevë, por u përjashtua nga kompania më pak se një vit më vonë.

Në një padi prej 120 faqesh, të depozituar të mërkurën në një gjykatë federale në Kaliforni, avokatët e Troostit e akuzojnë Srivastavën se ka orkestruar një mashtrim të gjatë dhe kompleks, duke e përshkruar 35-vjeçarin, ish-student që nuk e përfundoi universitetin, si një “mashtrues të pacipë me aftësi të jashtëzakonshme”, i cili kishte arritur të mashtrojë liderë botërorë, politikanë dhe institute kërkimore.

Sipas padisë, Troost hyri në partneritet me Srivastavën, me bazë në Kaliforni, pasi ky i fundit premtoi se do të përdorte statusin e tij të supozuar si pjesëtar i CIA-s për të siguruar një licencë amerikane që do t’i lejonte Paramountit të tregtonte ligjërisht me Rusinë pas pushtimit të plotë të Ukrainës.

Dokumenti pohon se Troost i dha fund marrëdhënies në maj 2023, pasi arriti në përfundimin se ishte mashtruar. Ai e akuzon Srivastavën se më pas ka tentuar të shkatërrojë reputacionin e tij duke nxjerrë në media akuza të rreme dhe duke lobuar me sukses pranë qeverive perëndimore për vendosjen e sanksioneve ndaj tij.

“Për më shumë se pesë vjet, i pandehuri Gaurav Srivastava ka drejtuar një sipërmarrje kriminale që ka vjedhur dhe zhvatë dhjetëra milionë dollarë nga paditësit dhe viktima të tjera, duke u bazuar në narrativën e rreme se Srivastava ishte një operativ i nivelit të lartë i CIA-s nën mbulim jozyrtar,” thuhet në padi.

Padia pretendon se në vitin 2022 Srivastava kërkoi të forconte kredencialet e tij si person i lidhur me qeverinë amerikane duke shpërndarë fotografi të tij me presidentin e atëhershëm amerikan Joe Biden dhe kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi, kopje të të cilave janë përfshirë në dosje.

Ajo gjithashtu pohon se Srivastava e prezantoi Troostin me Prabowo Subianton, sot president i Indonezisë, dhe e ftoi tregtarin në një konferencë në Bali të organizuar nga Atlantic Council në Uashington dhe të sponsorizuar nga fondacioni familjar i Srivastavës.

Troost pretendon në padi se pothuajse menjëherë pas njohjes në maj 2022, Srivastava filloi të nxirrte miliona dollarë nga Paramount në këmbim të mbështetjes së tij, përfshirë rreth 12 milionë dollarë që dyshohet se janë transferuar drejt një firme ligjore në Kaliforni përmes një ndërmjetësi me bazë në Dubai.

Sipas padisë, pasi Srivastava bleu gjysmën e Paramountit në korrik 2022 për 50 mijë franga zvicerane, në një marrëveshje që përjashtonte kapitalin ekzistues të kompanisë, ai vazhdoi të kërkonte shuma të tjera nga Troost.

Në një rast të përmendur në dosje, Srivastava thuhet se organizoi që Paramount t’i jepte hua 51 milionë dollarë një kompanie indoneziane të kontrolluar nga vëllai i pasur i Prabowos, biznesmeni Hashim Djojohadikusumo, përpara se, sipas akuzës, të devijonte gjysmën e fondeve për të financuar blerjen e një vile prej 24.5 milionë dollarësh në Los Anxhelos.

Kur Financial Times raportoi për shumë nga këto akuza në dhjetor 2024, Srivastava i quajti pretendimet e Troostit “trillim” dhe mohoi që huaja prej 51 milionë dollarësh nga Paramount të kishte lidhje me paratë e përdorura për blerjen e shtëpisë. Ai mohoi gjithashtu se kishte pretenduar ndonjëherë se kishte punuar për CIA-n dhe tha se regjistrimet telefonike të supozuara, ku ai shfaqej duke folur për punën e tij me inteligjencën amerikane, duhej të ishin të rreme.

Avokatët e Troostit përfshinë në padi pjesë nga transkriptet e disa bisedave të regjistruara, të cilat sipas dosjes janë autentifikuar nga një ekspert i forenzikës audio.

Në një nga fragmentet, Srivastava thuhet se i ka thënë Troostit: “Unë jam pjesë e programit, kështu që mund të telefonoj këdo. Mund të kontaktoj çdo shtet, çdo agjenci, këdo… Quhet mbulim jozyrtar, NOC, në rregull? Por ti nuk duhet t’i dish të gjitha këto.”

Padia pretendon se Srivastava u ndihmua në mashtrimin dhe zhvatjen e Troostit nga disa persona të tjerë, përfshirë bashkëshorten e tij Sharon Srivastava, një financier zviceran me emrin Nicolas Bravard dhe një ish-zyrtar të CIA-s, John Maguire, të cilët gjithashtu janë përfshirë si të pandehur.

“Srivastava dhe anëtarët e tjerë të kësaj sipërmarrjeje mashtruan viktimat duke i bindur se Srivastava kontrollonte fuqinë e qeverisë amerikane dhe mund t’u ofronte ndihmë të paçmuar aleatëve të tij, si dhe të shkatërronte këdo që guxonte ta sfidonte,” thuhet në padi.

Srivastava, bashkëshortja e tij, Maguire dhe Bravard nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment, shkruan Financial Times.