Vendosni fjalën kyçe....

SHBA nis transferimin e të burgosurve të ISIS nga Siria verilindore drejt Irakut



Autoritetet amerikane kanë nisur transferimin e të burgosurve të grupit terrorist Shteti Islamik (ISIS), të cilët mbaheshin në kampet e Sirisë verilindore, drejt objekteve të sigurisë në Irak, përcjell DW.

Komanda Qendrore e Ushtrisë Amerikane (CENTCOM) njoftoi se operacioni ka filluar dhe se rreth 150 luftëtarë të ISIS-it janë tashmë në proces transferimi. Sipas CENTCOM, deri në 7 mijë të burgosur mund të zhvendosen në Irak në fazat e ardhshme.

Komandanti i CENTCOM, Admirali Brad Cooper, deklaroi se SHBA po bashkëpunon ngushtë me partnerët rajonalë, përfshirë qeverinë irakiane, duke e cilësuar transferimin si një hap thelbësor për të parandaluar arratisje të mundshme që do të rrezikonin sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare.

Nga ana e saj, Ministria e Jashtme e Sirisë e përshëndeti procesin, duke e quajtur një hap të rëndësishëm për forcimin e sigurisë dhe stabilitetit në rajon.

Transferimi vjen pas avancimit të forcave qeveritare siriane në zonat e kontrolluara më parë nga Forcat Demokratike Siriane (SDF), të udhëhequra nga kurdët. Për shkak të këtyre zhvillimeve, SDF u detyrua të tërhiqej nga disa kampe dhe burgje ku mbaheshin anëtarë të ISIS-it, përfshirë kampin al-Hol dhe burgun al-Aqtan.

Në kampin al-Hol ndodheshin rreth 24 mijë persona, kryesisht gra dhe fëmijë të lidhur me luftëtarët e ISIS-it, në momentin e tërheqjes së SDF-së.

Sipas burimeve të inteligjencës irakiane, të burgosurit që po transferohen janë të kombësive të ndryshme, përfshirë shtetas nga Tunizia, Taxhikistani, Kazakistani dhe Siria. Ata pritet t’i nënshtrohen hetimeve dhe më pas proceseve gjyqësore në Irak.

Ndërkohë, SHBA ka deklaruar se roli i SDF-së si forca kryesore kundër ISIS-it ka përfunduar, duke theksuar se autoritetet në Damask janë tani të gatshme të marrin përgjegjësinë për sigurinë në territorin sirian.