Vendosni fjalën kyçe....

Bardhi: PD pro aderimit të Shqipërisë në Bordin e Paqes për Gazën sipas rregullores


Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, deklaroi se PD mbështet aderimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes për Gazën, por theksoi se procesi duhet të zhvillohet në përputhje me rregulloren e Kuvendit.

Bardhi kritikoi nxitimin për shqyrtimin e projektligjit me procedurë të përshpejtuar, duke e cilësuar të pajustifikuar dhe në shkelje të rregullave parlamentare.

Ai akuzoi mazhorancën për mungesë dokumentacioni të rregullt dhe paralajmëroi se shkelja e procedurave dëmton seriozitetin institucional dhe marrëdhëniet strategjike me SHBA-të.

“Shqiptarët e dëgjuan hartimin e kolegut parafolës, por nuk dëgjuan asnjë fjalë se ku qëndron nxitimi i Shqipërisë për ta përmbyllur këtë process sot.

Në 10 minuta fjalë nuk u shpjegua se për çfarë arsye dhe ku qëndron urgjenca e shqyrtimit të këtij projektligji me rëndësi hitorike.

Kolegët duhet ta votojnë brenda 12 orëve pasi ka mbërritur nga Këshilli i Ministrave. Duhet të kërkoni ndjesë, pasi ky që keni në krye e ka konsideruar Presidentin Trump, i cili po vëndos paqe në të gjitha vendet e botës, si turpi i njerëzimit.

Ka qenë Edi Rama i vetmi lider botëror që i është drejtuar presidentit të SHBA-ve me termin që përcakton turpin e njerëzimit.

Një deklaratë që vë në rrezik sigurinë dhe marrëdhëniet strategjike mes popullit shqiptar, Shqipërisë dhe Kosovës, me SHBA-të. Ne ndihemi krenar për marrëdhëniet që kombi shqiptar ka me SHBA-të. Prandaj edhe ftesa e Trump i është drejtuar Shqipërisë dhe Kosovës.

Prandaj parafolësi duhet të kërkonte edhe një tjetër ndjesë, që herën e kaluar u ngrit këtu dhe bëri propagandë sikur ai që i ka thënë Presidentit Trump ‘turp i njerëzimit’ ishte i vetmi lider në Ballkan që ishte ftuar të bëhej pjesë e Bordit të Paqes.

Dhe u detyrua Presidentja e Kosovës ta nxirrte gënjeshtar. Nuk mund të tallesh me Presidentin e SHBA-ve që të flasësh për arritje historike, ndërkohë që para disa viteve e ke quajtur njeriun kyç të paqes sot në botë ‘turp i njerëzimit’.

Për t’u kthyer te kërkesa jua, ke 2 kërkesa zoti kryetar, e para ke kërkesën e Këshillit të Ministrave e cila duhet të dorëzohet më para se kërkesa e Grupit Parlamentar të PS. Se kta nuk mund të kërkojnë procedurë të përshpejtuar për një projektligj që nuk ka ardhur në Kuvend.

Edhe dokumentin e kanë sjellë pa firmë, se kaq serioz jeni ju. Nuk është as firma e kryeministrit dhe as firma e ministres së Jashtme.

Tani na thoni kë duhet të votojë ky Kuvend, kërkesën për procedurë të përshpejtuar të Këshillit të Ministrave, apo kërkesën për procedurë të përshpejtuar të këtyre që kërkonin shqyrtimin me procedurë të përshpejtuar të një ligji që nuk kishte ardhur akoma në Kuvend.

Si do e justifikoni ju shkeljen e procedurës. Që i njoftoni deputetët në orën 9 të darkës dhe ne vijmë ta votojmë të nesërmen në mëngjes, një projektligj kaq të rëndësishëm.

Kuvendi me kërkesë të Këshillit të Ministrave ose 1/5 së deputetëve mund të miratojë një projektligj me procedurë të përshpejtuar, por jo më parë se një javë nga nisja e procedurës së shqyrtimit”, tha mes të tjerash Bardhi.