Vendosni fjalën kyçe....

Rikthehet bora në qarkun e Korçës, probleme me energjinë dhe qarkullimin rrugor



Reshjet e borës janë rikthyer në qarkun e Korçës gjatë natës, duke sjellë probleme me furnizimin me energji elektrike dhe vështirësi në disa akse rrugore.

Prefektura e Qarkut Korçë bën me dije se disa zona rurale kanë mbetur pa energji elektrike si pasojë e kushteve të motit. Sipas njoftimit të OSSHE – Dispeçeria Rajonale Korçë, pa energji janë zona në Trebinjë, Bishnicë, Rehovë, Mazrekë, Mesmal, Pepellash, Dardhë, si dhe disa abonentë në Korçë, Ersekë, Lozhan, Mollas dhe Leskovik. Ekipet e OSSHE-së ndodhen në terren dhe po punojnë për rikthimin e energjisë sa më shpejt.

Sa i përket qarkullimit rrugor, ARRSH raporton se në akset Korçë–Ersekë dhe Zëmblak–Goricë–Bilisht–Miras ka pasur reshje bore gjatë natës. Po vijon pastrimi dhe kriposja e rrugëve, ndërsa drejtuesit e mjeteve këshillohen të qarkullojnë vetëm me goma dimërore.

Në akset Libonik–Rëmbec–Plasë dhe Korçë–Voskopojë, trashësia e borës ka arritur deri në 8 cm, e shoqëruar me erë të fortë. Segmentet janë pastruar dhe qarkullimi vijon normalisht. Ndërkohë, në zonën e Dardhës, trashësia e borës në disa vende kalon 50 cm dhe rekomandohet përdorimi i gomave dimërore dhe zinxhirëve.

Probleme janë shënuar edhe në doganën e Qafë Thanës, ku është ndaluar përkohësisht qarkullimi i kamionëve për shkak të punës së borëpastrueseve në segmentin hyrës drejt Maqedonisë së Veriut. Autoritetet bëjnë me dije se ndalimi do të zgjasë vetëm disa orë dhe qarkullimi do të rinisë pas përfundimit të ndërhyrjes.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes dhe të ndjekin njoftimet zyrtare për shkak të kushteve të vështira atmosferike.