Vendosni fjalën kyçe....

10% e aksioneve tek Air Albania, kalojnë nga Albcontrol tek Ministria e Ekonomisë


Kompania shtetërore që menaxhon trafikun ajror “Albcontrol” nuk do të ketë më aksione tek Air Albania. Me vendim të Këshillit të Ministrave është vendosur që aksionet të kalojnë tek Ministria e Ekonomisë.

“Kuotat e kapitalit, në masën 10% (dhjetë për qind), që zotërohen nga shoqëria “Albcontrol”, sh.a., në shoqërinë “Air Albania” sh.p.k., transferohen tek Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit. Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, me transferimin e kuotave, sipas pikës 1, të këtij vendimi, ushtron të gjitha të drejtat dhe detyrimet, që rrjedhin nga cilësia e ortakut në shoqërinë “Air Albania” sh.p.k. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit dhe shoqëria “Albcontrol” sh.a. për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare”, thuhet në vendimin e qeverisë që tanimë është në fuqi.

Air Albania është themeluar më 12/09/2018, dhe kishte si aksionerë Turkish Airlines 49.1% të aksioneve, 41% MDN Investment dhe pjesa prej 10% ishin të Albcontrol, por tashmë i kalojnë Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit.

Ndërkohë më 19 nëntor të vitit të kaluar kompania turke, ‘Turkish Airlines’ njofoi se kishte vendosur të shiste aksionet e saj prej 49%.