
Vendet anëtare të Bashkimit Evropian po refuzojnë 74 miliardë euro kredi të papërdorura nga fondi i rimëkëmbjes pas pandemisë, teksa vështirësitë në zbatimin e projekteve dhe rënia e avantazhit financiar të huamarrjes së përbashkët kanë zbehur ndjeshëm interesin për këtë instrument.
Sipas Komisionit Evropian, vetëm rreth gjysma e kredive të disponueshme janë shpërndarë, ndërkohë që kanë mbetur më pak se shtatë muaj deri në afatin përfundimtar për shpenzimin e fondeve. Tetë vende anëtare kanë ulur ndjeshëm planet e tyre të huamarrjes.
Spanja, përfituesja e dytë më e madhe e fondit të rimëkëmbjes pas Italisë, ka hequr dorë nga 60.5 miliardë euro nga 83 miliardë euro kredi që i ishin vënë në dispozicion. Rumania, Polonia, Republika Çeke, Portugalia, Qiproja, Sllovenia dhe Belgjika kanë refuzuar së bashku rreth 13 miliardë euro kredi.
Si rezultat, huamarrja totale në kuadër të këtij instrumenti arrin në 217 miliardë euro, ose rreth 65 për qind të 385 miliardë eurove të ofruara fillimisht. Ministrat e financave të BE-së pritet të miratojnë zyrtarisht këto rishikime në mbledhjen e tyre të së martës.
Fondi i rimëkëmbjes, i miratuar në vitin 2020, është një instrument i përbashkët borxhi prej rreth 800 miliardë eurosh, i ndarë përafërsisht në gjysmë kredi dhe gjysmë grante, të lidhura me investime dhe reforma strukturore. Ndërsa interesimi për kreditë ka qenë i vakët, vendet anëtare kanë treguar entuziazëm më të madh për 359 miliardë euro grantet e pakthyeshme të nismës NextGeneration EU.
Komisioni vlerëson se kërkesa e dobët për kredi lidhet me vështirësitë në identifikimin e projekteve që plotësojnë kriteret e financimit, si dhe me rritjen e normave të interesit, që ka ngushtuar diferencën mes kostos së huamarrjes kombëtare dhe asaj përmes BE-së. Kjo e bën borxhin e përbashkët më pak tërheqës për shumë kryeqytete.
Në Spanjë dhe Itali, dy vendet me nivelet më të larta të borxhit në Eurozonë, kostot e huamarrjes janë ulur ndjeshëm dhe raporti i tyre me Gjermaninë ka arritur nivelin më të ulët në 16 vjet, duke reflektuar një disiplinë më të fortë fiskale. Në këto kushte, përfitimi nga vlerësimi “Triple A” i BE-së konsiderohet minimal përballë kushteve strikte dhe barrës administrative që shoqërojnë kreditë.
“Nuk ka avantazh financiar në përdorimin e paketës së plotë të kredisë, pasi Spanja mund të emetojë borxhin e saj me kosto të ngjashme, pa kufizimet kohore dhe administrative të financimit të BE-së,” deklaroi Ministria spanjolle e Ekonomisë.
Ndërkohë, liderë biznesi dhe ekonomistë kanë kritikuar qeverinë spanjolle për ritmin e ngadaltë dhe mungesën e fleksibilitetit në shpërndarjen e fondeve, duke paralajmëruar se po humben mundësi investimi. Si alternativë, Madridi ka vendosur të përdorë 10.5 miliardë euro nga kreditë e mbetura për krijimin e një fondi sovran investimesh, me synimin për të mobilizuar deri në 120 miliardë euro kapital privat në sektorë si banesat, energjia e rinovueshme, digjitalizimi, inteligjenca artificiale dhe infrastruktura.
Përballë rrezikut të humbjes së fondeve deri në afatin e gushtit, shumë vende kanë prioritarizuar projektet e financuara me grante, të cilat nuk rrisin borxhin publik, duke shtyrë ose braktisur projektet që mbështeten në kredi, shkruan Financial Times.
“Shtetet anëtare janë ndjeshëm prapa edhe në zbatimin e granteve,” tha Filippo Taddei, ekonomist i lartë për Evropën në Goldman Sachs. “Kur një vend ka ende grante për të marrë, kredia bëhet shumë pak tërheqëse, edhe në terma relativë.”