Vendosni fjalën kyçe....

 Macron: Europa nuk duhet të hezitojë të përdorë “armën tregtare” kundër presionit të jashtëm


Presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi nga Forumi Ekonomik Botëror në Davos se Europa “nuk duhet të hezitojë” të përdorë Instrumentin Anti-Koercion për t’u mbrojtur nga presionet ekonomike dhe politike të fuqive të tjera botërore, duke theksuar se kontinenti nuk duhet të lejojë përpjekjet për ta nënshtruar.

Macron bëri thirrje për mbrojtjen e asaj që e quajti “multilateralizëm efektiv”, duke shtuar se Europa duhet njëkohësisht të adresojë problemet e saj të brendshme, përfshirë mungesën e rritjes ekonomike.

Sipas tij, Europa është aktualisht e vetmja që respekton rregullat e tregtisë globale, ndërsa aktorë të tjerë, përfshirë Kinën, nuk garantojnë kushte të barabarta konkurruese, përcjell Euronews.

Deklaratat e presidentit francez erdhën pak orë pasi presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, paralajmëroi se Bashkimi Europian do të reagojë në mënyrë “të bashkuar, të vendosur dhe proporcionale” nëse presidenti amerikan Donald Trump zbaton tarifat 10% ndaj tetë vendeve europiane për të ushtruar presion mbi çështjen e Groenlandës.

Megjithatë, von der Leyen theksoi se BE-ja mbetet e hapur për bashkëpunim me SHBA-në, veçanërisht në fushën e sigurisë në Arktik.

“Siguria në Arktik mund të garantohet vetëm përmes bashkëpunimit. Për këtë arsye, tarifat e propozuara janë një gabim, sidomos mes aleatëve të vjetër,” u shpreh ajo gjatë fjalimit në Davos.

Ndërkohë, Trump ripohoi ambicien e tij për të marrë kontrollin e Groenlandës, duke publikuar edhe një imazh të krijuar në mënyrë digjitale ku shfaqej duke vendosur flamurin amerikan në territorin arktik.

Ai njoftoi gjithashtu se ka rënë dakord për një takim në Davos lidhur me Groenlandën me “palët e përfshira”.

Liderët europianë pritet të mblidhen të enjten në mbrëmje në Bruksel në një samit të jashtëzakonshëm, ku synohet të arrihet një qëndrim i përbashkët për hapat që do të ndërmerren nëse SHBA vijon me kërcënimin për tarifa.

Megjithatë, qëndrimet brenda BE-së mbeten të ndara lidhur me aktivizimin e Instrumentit Anti-Koercion, i njohur edhe si “bazuka tregtare” e Unionit.