Vendosni fjalën kyçe....

Depistimi i kancerit të qafës së mitrës, Sala: Gratë do të njoftohen çdo vit për kryerjen e testit HPV falas


Programi Kombëtar i Depistimit të Kancerit të Qafës së Mitrës ka zgjeruar fashën e grupmoshës së përfshirë, duke përfshirë tashmë gratë nga 35 deri në 55 vjeç, nga 40–50 vjeç që ishte më parë.

Ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, tha se vendimi bazohet në të dhënat shkencore, situatën epidemiologjike në vend dhe rekomandimet e Bashkimit Evropian dhe OBSH-së. Sipas saj, depistimi me testin HPV do të jetë i organizuar, i barabartë dhe falas për të gjitha gratë e kësaj grupmoshe.

Ajo tha se gratë 35–55 vjeç do të njoftohen çdo vit përmes SMS-ve për kryerjen e testit pranë qendrave shëndetësore, me qëllim rritjen e parandalimit dhe mbrojtjes së shëndetit të grave.

“Sot bëjmë një hap të rëndësishëm për shëndetin e grave dhe për të ardhmen e shëndetit publik në Shqipëri.

Bazuar në të dhënat shkencore, situatën epidemiologjike në vend, rekomandimet e Bashkimit Evropian dhe në Strategjinë Globale të OBSH-së për eliminimin e kancerit të qafës së mitrës vendosim të zgjerojmë fashën e grupmoshës për depistimin e kancerit të qafës së mitrës me testin HPV, nga 40–50 vjeç në 35–55 vjeç, në kuadër të Programit Kombëtar të Depistimit të Kancerit të Qafës së Mitrës.

Në Shqipëri, mosha mesatare e diagnostikimit të kancerit të qafës së mitrës është 53 vjeç, çka tregon qartë se depistimi duhet të fillojë më herët dhe të mbulojë një periudhë më të gjerë rreziku.

Për ta bërë këtë program sa më të aksesueshëm dhe efektiv, çdo vit gratë e kësaj grupmoshe do të marrin mesazhe njoftimi/ kujtese në telefonin celular, përmes SMS-ve informuese, që do t’i ftojnë gratë të drejtohen pranë qendrës shëndetësore ku janë të regjistruara, për kryerjen e testit HPV dhe marrjen e informacionit të duhur nga personeli ynë shëndetësor.

Ky është depistim i organizuar, i planifikuar dhe i barabartë për të gjitha gratë e grupmoshave specifike dhe është një shërbim publik i siguruar e garantuar falas nga MSHMS.

Ky vendim është një investim për shëndetin e grave, për familje më të shëndetshme dhe për një shoqëri më të fortë.

Parandalimi është forma më e mirë e kujdesit shëndetësor dhe ne zgjedhim të veprojmë në kohë, duke forcuar programet tona të depistimit”, tha ministrja.