Vendosni fjalën kyçe....

Zhupa: Opozita kërkon interpelanca me kryeministrin, ju s’i lejoni


Deputetja e PD-së, Ina Zhupa, ka reaguar në Konferencën e Kryetarëve ndaj deklaratave të kreut të Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, duke hedhur poshtë pretendimet se sesioni i kaluar parlamentar ishte i suksesshëm dhe se opozitës i është dhënë hapësirë. 

Ajo akuzoi shumicën se po shkel rregulloren duke refuzuar kërkesat e opozitës për Këshillin e Mandateve, mocione me debat dhe interpelanca me kryeministrin. 

“Duhet të kesh guxim të tepruar dhe pafytyrësi të thuash që sesioni i kaluar ishte sukses dhe dhënie hapësire për deputetët e opozitës.

Treguesi kohor që citon Balla, ku opozita ka folur 48 orë dhe mazhoranca 40 orë, tregon që paskeni folur shumë. Sepse Edi Rama ju trajtoi si kartona dhe ushtarë pa personalitet, teksa ju tha: ju mos diskutoni, por vetëm miratoni projektligje. Edhe në këtë porosi, ku askush nga ju s’e kundërshtoi, ju ftoj që këtë sesion të flisni 4 orë gjithsej, sepse atë rol ua kanë dhënë: si kartona.

Opozita kërkon mbledhjen e Këshillit të Mandateve sipas rregullores, ju e shkelni. Opozita kërkon mocion me debat për problemet e shqiptarëve, ju e mohoni. Opozita kërkon interpelanca me kryeministrin, ju s’i lejoni. Për çfarë flisni atëherë?

Mjafton të shikosh edhe këtë projekt-kalendar: asnjë nga projektligjet e deputetëve të opozitës nuk ka një datë për shqyrtim. Zero, asnjë, sa për sy e faqe. Data kanë vetëm projektligjet e qeverisë dhe ato të deputetëve tuaj, që nuk i kanë bërë as vetë, por i sjellin të qeverisë për të shmangur procesin e konsultimit publik.

S’keni as guxim t’i fusni dhe t’i rrëzoni, sepse nuk thoni dot publikisht që kundërshtoni interesin qytetar. Rri në sirtar projektligji im për pagat e mësuesve, heqja e 5-mijë lekëshit të kategorisë. Nuk e fusni, sepse nuk e rrëzoni dot, por as nuk e miratoni, sepse s’ju lë qeveria. Ky është realiteti i një parlamenti që nuk respekton asgjë dhe nuk ka asnjë rol përtej dëshirave dhe vullnetit të Edi Ramës”, tha ajo.