
Gjykata e Durrësit ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për ish-drejtorin e Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Durrës, Indrit Cërloj, i arrestuar tre ditë më parë. Masa ishte caktuar fillimisht më 16 janar dhe u konfirmua sërish sot.
Cërloj akuzohet për shpërdorim detyre në lidhje me arratisjen e të paraburgosurit Altin Ndoci, ngjarje e ndodhur gjatë shoqërimit të këtij të fundit për kontroll mjekësor në spitalin e Durrësit.
Gjykata la në fuqi gjithashtu masën “arrest shtëpie” për mjeken Ylvete Sema, 65 vjeçe.
Pas arratisjes, ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, firmosi shkarkimin e Indrit Cërloj nga detyra e drejtorit të IEVP Durrës, një ditë pas ngjarjes. Po ashtu, u pezullua nga detyra i gjithë zinxhiri komandues i institucionit.
Sipas verifikimeve paraprake, rezulton se IEVP Durrës nuk ka raportuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve as planifikimin dhe as realizimin e vizitës mjekësore të të paraburgosurit, në kundërshtim me aktet nënligjore në fuqi. Autoritetet konstatojnë gjithashtu se nuk janë respektuar procedurat standarde për shoqërimin e të paraburgosurve dhe të dënuarve.
Në kuadër të hetimeve, janë arrestuar edhe tetë punonjës të Policisë së Burgjeve dhe stafit shëndetësor të IEVP Durrës:
Komisar Dezdemon Pazaj
Komisar Violeta Uka
Kryeinspektor Dorjan Saraçi
Inspektor Sali Ferrollari
Inspektor Fatjon Braçi
Inspektor Preng Marvataj
Kryeinspektor Aranit Çela
Kryeinfermier Aulon Quku
Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të arratisjes vijojnë.