Vendosni fjalën kyçe....

Alarm në Evropë pas kërcënimeve për tarifa nga Trump, mbledhje urgjente në Bruksel


Ministrat e Financave të eurozonës mblidhen këtë pasdite në Bruksel, në një klimë tensioni në rritje pas kërcënimit të ri të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për të vendosur tarifa ndaj një grupi vendesh evropiane, në lidhje me çështjen e Grenlandës.

Ky zhvillim i fundit ka tronditur aleancën transatlantike dhe ka vënë në dyshim strategjinë e deritanishme të Bashkimit Evropian për të shmangur përplasjet me Uashingtonin, e ndjekur që nga rikthimi i Trump në Shtëpinë e Bardhë një vit më parë.

Shenjat e një ashpërsimi të qëndrimeve po bëhen gjithnjë e më të dukshme. Ministri gjerman i Financave, Lars Klingbeil, deklaroi këtë mëngjes se kërcënimi për tarifa ndaj aleatëve të NATO-s, si ndëshkim për kundërshtimin e përpjekjeve amerikane për aneksimin e Grenlandës, përbën një “vijë të kuqe” për BE-në. Sipas tij, Unioni duhet të shqyrtojë aktivizimin e Instrumentit Kundër Detyrimit (ACI), një mjet i fuqishëm tregtar hakmarrës, i papërdorur deri më sot.

Franca ka qenë prej kohësh ndër zërat kryesorë që kërkojnë vënien në funksion të ACI-së, duke udhëhequr thirrjet për një linjë më të fortë ndaj SHBA-së gjatë negociatave tregtare të verës së kaluar.

“Ne, evropianët, duhet të bëjmë të qartë se kufiri është arritur,” tha Klingbeil në Berlin, në një dalje të përbashkët me homologun e tij francez Roland Lescure, përpara udhëtimit të tyre drejt Brukselit.

Megjithëse aktivizimi i ACI-së kërkon një shumicë të kualifikuar të shteteve anëtare, mbështetja e vendeve kyçe si Gjermania dhe Franca mund të ndryshojë ndjeshëm balancat. Megjithatë, kancelari gjerman Friedrich Merz u shfaq më i rezervuar, duke theksuar se preferon një zgjidhje që shmang rritjen e mëtejshme të barrës tarifore, shkruan Bloomberg.

Ministri gjerman i Financave Klingbeil

Në të njëjtën kohë, ambasadorët e BE-së zhvilluan mbrëmë një mbledhje urgjente në Bruksel, ku u diskutua edhe ringjallja e një plani për tarifa hakmarrëse ndaj mallrave amerikane me vlerë rreth 93 miliardë euro, që do të përfshinin produkte si avionët Boeing, automjetet e prodhuara në SHBA dhe uiskin “bourbon”.

Çështja pritet të jetë në qendër të një samiti special të liderëve të BE-së të enjten, ndërsa Franca po shtyn për thirrjen e një takimi të ministrave të financave të G7-ës që të mërkurën. Paralelisht, zyrtarë të lartë evropianë pritet të takohen me Trump në Davos, ku presidenti amerikan pritet të mbërrijë po atë ditë.

Kërcënimet e fundit të Trump u bënë publike pasi ai e lidhi qëndrimin e tij për Grenlandën me faktin se nuk i është dhënë Çmimi Nobel për Paqe. “Duke qenë se vendi juaj vendosi të mos ma japë Çmimin Nobel për Paqe për ndalimin e tetë luftërave, unë nuk ndjej më detyrim të mendoj vetëm për paqen,” shkroi Trump në një letër drejtuar kryeministrit norvegjez Jonas Gahr Støre.

Pasojë e drejtpërdrejtë e këtyre deklaratave ishin edhe lëkundjet në tregjet financiare. Aksionet evropiane dhe kontratat e së ardhmes në SHBA ranë ndjeshëm, ndërsa indeksi Stoxx 600 po shënonte ditën e tij më të keqe në dy muaj, me prodhuesit gjermanë të automjeteve ndër më të goditurit.

Ndërkohë, ish-guvernatori i Bankës së Portugalisë, Mario Centeno, deklaroi se synon të sjellë një frymë konsensusi nëse zgjidhet zëvendëspresidenti i ardhshëm i Bankës Qendrore Evropiane. Gara për të pasuar Luis de Guindos, mandati i të cilit përfundon në fund të majit, është gjithashtu në axhendën e takimit të sotëm. Sipas Centenos, institucionet e BE-së do të thirren gjithnjë e më shumë të luajnë rolin e një faktori stabilizues në një mjedis gjeopolitik gjithnjë e më të paqëndrueshëm.

Në sfond, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, po përgatitej të shpallte një sukses të marrëveshjes tregtare me ekonomitë kryesore të Amerikës së Jugut, kur kërcënimi i ri tarifor nga Uashingtoni errësoi axhendën. Reagimi i saj u cilësua “i dobët” nga disa zyrtarë dhe diplomatë, duke nxjerrë në pah pakënaqësinë e akumuluar ndaj drejtimit aktual të Komisionit.