Vendosni fjalën kyçe....

Trump u kërkon vendeve të paguajnë 1 miliard dollarë për të qëndruar në “Bordin e tij të Paqes” – Bloomberg


Administrata Trump po u kërkon vendeve që duan një vend të përhershëm në “Bordin e tij të Paqes”, të kontribuojnë me të paktën 1 miliard dollarë.

Sipas një draftstatuti për grupin e propozuar të parë nga Bloomberg, Presidenti Donald Trump do shërbente si kryetari i tij inaugurues dhe do vendoste se kush do ftohej si anëtar. Vendimet do merreshin me shumicë votash, ku çdo shtet anëtar i pranishëm do kishte një votë, por të gjitha do t’i nënshtroheshin miratimit të kryetarit.

“Çdo Shtet Anëtar do shërbejë për një mandat jo më shumë se tre vjet nga hyrja në fuqi e këtij Statuti, me kusht rinovimin nga Kryetari. Mandati trevjeçar i anëtarësimit nuk do zbatohet për Shtetet Anëtare që kontribuojnë me më shumë se 1,000,000,000 dollarë në fonde kesh në Bordin e Paqes brenda vitit të parë të hyrjes në fuqi të Statutit,” thuhet në draft.

Kritikët janë të shqetësuar se Trump po përpiqet të ndërtojë një alternativë, ose rival, ndaj Kombeve të Bashkuara, të cilat ai i ka kritikuar prej kohësh.

Bordi përshkruhet në statut si “një organizatë ndërkombëtare që kërkon të promovojë stabilitetin, të rivendosë qeverisjen e besueshme dhe të ligjshme, dhe të sigurojë paqe të qëndrueshme në zonat e prekura ose të kërcënuara nga konflikti.” Ai do bëhej zyrtar pasi tre shtete anëtare të pajtoheshin me statutin.

Trump do ishte gjithashtu përgjegjës për miratimin e vulës zyrtare të grupit, thotë dokumenti. Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë nuk iu përgjigjën menjëherë një kërkese për koment.

Trump ka ftuar një numër udhëheqësish botërorë, duke përfshirë Javier Milei të Argjentinës dhe Mark Carney të Kanadasë, për të qenë pjesë e një Bordi të Paqes për Gazën, i cili do formohej nën ombrellën më të gjerë të Bordit të tij të ri të Paqes.

Ky plan u prit me kritika të menjëhershme nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, i cili tha se hollësitë nuk ishin koordinuar me vendin e tij.

Disa kombe evropiane janë ftuar t’i bashkohen bordit të paqes, sipas njerëzve që kanë njohuri për çështjen. Drafti duket se sugjeron që vetë Trump do kontrollonte paratë, diçka që do të konsiderohej e papranueshme për shumicën e vendeve që mund t’i bashkoheshin potencialisht bordit, thanë personat, të cilët folën në kushte anonimiteti për të diskutuar çështje private.

Disa kombe e kundërshtojnë ashpër draftin e statutit të Trump dhe po punojnë për të kundërshtuar kolektivisht propozimet, shtuan ata.

Bordi i Paqes do mblidhte takime votimi të paktën çdo vit dhe “në kohë dhe vende të tjera shtesë që Kryetari i konsideron të përshtatshme,” thotë draft-statuti. Agjenda do t’i nënshtrohej miratimit nga kryetari. Bordi i paqes do mbante takime të rregullta pa votim me bordin e tij ekzekutiv. Takime të tilla do mblidheshin të paktën në baza tremujore.

Trump do kishte gjithashtu fuqinë për të hequr një anëtar, me kusht që të mos ketë një veto nga një shumicë prej dy të tretave të shteteve anëtare.

“Kryetari do caktojë në çdo kohë një pasardhës për rolin e Kryetarit,” thotë statuti.

Të premten, Shtëpia e Bardhë njoftoi panelin e parë ekzekutiv që do të përfshinte Sekretarin e Shtetit Marco Rubio, të dërguarin për Lindjen e Mesme Steve Witkoff, dhëndrin e Trump Jared Kushner dhe ish-kryeministrin britanik Tony Blair, përpara formimit të bordit të përgjithshëm.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Bloomberg