Vendosni fjalën kyçe....

Starmer i thotë Trump-it se vendosja e tarifave ndaj aleatëve është “e gabuar”


Kryeministri britanik, Keir Starmer, i ka thënë Donald Trump-it gjatë një bisede telefonike se vendosja e tarifave ndaj aleatëve të NATO-s është “e gabuar”, duke theksuar se Mbretëria e Bashkuar mbështet plotësisht sovranitetin e Groenlandës dhe se siguria në Arktik mbetet “prioritet për të gjithë aleatët”, përcjell BBC.

Deklarata vjen një ditë pasi presidenti amerikan njoftoi vendosjen e tarifave 10% ndaj tetë vendeve anëtare të NATO-s, deri në “arritjen e një marrëveshjeje për blerjen e plotë dhe tërësore të Groenlandës”.

Planet e Trump-it kanë shkaktuar reagime të forta në Evropë, ku liderët e Danimarkës, Finlandës, Francës, Gjermanisë, Holandës, Norvegjisë, Suedisë dhe Mbretërisë së Bashkuar paralajmëruan për një “spiralë të rrezikshme” në marrëdhëniet transatlantike.

Ndërkohë, mijëra qytetarë në Groenlandë dhe Danimarkë kanë dalë në protesta masive kundër kërcënimeve të Uashingtonit, duke valëvitur flamujt e Groenlandës dhe duke bërë thirrje për mbrojtjen e territorit.

Trump ka deklaruar se tarifat do të mbeten në fuqi “deri sa të arrihet një marrëveshje për blerjen e Groenlandës”, një pretendim i cili ka tensionuar më tej raportet brenda NATO-s dhe ka vënë në pikëpyetje stabilitetin e zonës arktike.

Në Britani, qeveria nuk ka njoftuar nëse do të kundërpërgjigjet me masa tregtare, por zëdhënësit e Downing Street kanë theksuar se pozicioni i Londrës mbetet i qartë: sovraniteti i Groenlandës nuk është i negociueshëm dhe çdo kërcënim ekonomik ndaj aleatëve “minon sigurinë e përbashkët”.

Në sfond të debatit, është rihapur edhe çështja e tarifave, çfarë janë, si funksionojnë dhe cilat pasoja mund të sjellin për ekonominë europiane dhe britanike nëse tensionet përshkallëzohen më tej.