
Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas ftesës personale nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, për të përfaqësuar Shqipërinë në Bordin e Paqes, një organizatë ndërkombëtare e ideuar prej tij, ku vendi ynë ftohet si anëtar themelues.
Rama u shpreh i nderuar nga ftesa dhe theksoi se kjo përfaqëson një arritje të rëndësishme për Shqipërinë në arenën ndërkombëtare, duke e cilësuar si një nivel të paimagjinueshëm vetëm pak vite më parë.
“Shumë i nderuar nga ftesa personale e Presidentit Trump, për ta përfaqësuar Shqipërinë në Bordin e Paqes, një organizatë e ndërkombëtare e ideuar prej tij, ku Shqipëria ftohet si anëtar themelues, duke ngjitur kështu ndërkombëtarisht një tjetër majë krejt të paimagjinueshme vetëm deri pak vite më parë.
Nuk mund të jem dot më krenar për Shqipërinë, për gjithçka kemi bërë në këto vite duke e kthyer në një Shqipëri tjetër, të dinjitetshme të respektuar botërisht si asnjëherë, pa diskutim edhe për nivelin ku e kemi ngritur marrëdhënien e partneritetit tonë strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke u ftuar me një respekt e vlerësim krejt të posaçëm nga presidenti Donald j. Trump, për t’u bërë pjesë e një bordi ndërkombëtar të krijuar e kryesuar prej atij vetë dhe për të punuar së bashku me të”, thuhet në mesazhin e Ramës.