
Ministri i Financave, Petrit Malaj, njoftoi se administrata tatimore ka nisur kontrolle në terren në sektorin e ndërtimit, me qëllim formalizimin e ekonomisë dhe rritjen e deklarimit real të pagave të punonjësve.
Kontrollet do të përqendrohen tek subjektet që paguajnë paga më të ulëta se niveli i tregut, për të mbrojtur kontributet shoqërore dhe për të garantuar pensionin e të ardhmes, tha Malaj.
“Pas një fushate ndërgjegjësimi, Administrata Tatimore nis kontrollet në terren ndaj subjekteve me risk për nëndeklarim pagash, me fokus sektorin e ndërtimit. Synimi ynë është mbrojtja e kontributeve shoqërore dhe e të drejtës për pension,” shkroi ministri në një postim zyrtar.
Kontrollet do të përfshijnë edhe analizimin e kontratave të shitjes së apartamenteve dhe burimin e të ardhurave të kompanive të ndërtimit, me qëllim të evidentimit të çdo praktike të mundshme të nëndeklarimit.