
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se gjatë 12 viteve të qeverisjes socialiste janë abuzuar, sipas tij, rreth 67 miliardë euro nga buxheti i shtetit, duke paralajmëruar se një qeveri e ardhshme e PD-së do të kryejë audit të plotë të financave dhe pasurive publike.
Në një bashkëbisedim me ndjekësit, Berisha u shpreh se vetëm buxheti i 12 viteve arrin në 67 miliardë euro, ndërsa vlera e pronave publike që, sipas tij, janë zhdukur ose keqmenaxhuar, shkon në të paktën 70 miliardë euro.
“Është jetik një audit sepse janë në 12 vite 67 miliardë euro vetëm buxheti. Po të zbresim rreth 8 miliardë euro pagesa për paga, pjesa tjetër, sipas të gjitha vlerësimeve, është vjedhur në masën 90 për qind”, deklaroi Berisha, duke iu referuar edhe raporteve të institucioneve ndërkombëtare.
Lideri i opozitës akuzoi qeverinë se ka shndërruar korrupsionin në sistem, duke theksuar se, sipas tij, abuzimet me fondet publike dhe pasuritë shtetërore kanë ndodhur në mënyrë të organizuar. Ai shtoi se PD do të angazhojë ekspertë për të monitoruar dhe denoncuar çdo rast korrupsioni.
“Kur vjedh kryeministri, korrupsioni bëhet sistem. Kjo ka ndodhur në Shqipëri”, përfundoi Berisha.