Vendosni fjalën kyçe....

AKU tërheq nga tregu disa formula BEBA për fëmijë pas alarmit për substancë të rrezikshme



Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka njoftuar bllokimin dhe tërheqjen nga tregu të disa produkteve të formulës për fëmijë, pas një alarmi të lëshuar nga Sistemi Evropian i Njoftimit të Shpejtë për Ushqimin dhe Ushqimin për Kafshët (RASFF).

Sipas AKU-së, autoritetet shqiptare janë informuar përmes RASFF se gjatë kontrolleve të kryera nga autoritetet italiane është konstatuar prania e substancës Cereulide në disa produkte formule për fëmijë me origjinë nga Holanda. Kjo substancë konsiderohet rrezik potencial për shëndetin e njeriut, veçanërisht për foshnjat.

Produktet e identifikuara dhe të përfshira në masën e bllokimit janë:

  • BEBA PRE 800G – Lot nr. 51250346AA, skadencë 05.2027
  • BEBA PRE 800G – Lot nr. 51720346AA, skadencë 06.2027
  • BEBA PRE 800G – Lot nr. 51660346AC, skadencë 06.2027
  • BEBA 1 800G – Lot nr. 51180346AB, skadencë 04.2027
  • BEBA 1 800G – Lot nr. 51450346AA, skadencë 05.2027
  • BEBA 1 800G – Lot nr. 51660346AB, skadencë 06.2027
  • BEBA SUPREME PRE 800G – Lot nr. 51720742F3, skadencë 06.2027
  • BEBA SUPREME 2 800G – Lot nr. 51550742F1, skadencë 06.2027
  • BEBA SUPREME 2 800G – Lot nr. 51550742F2, skadencë 06.2027

AKU bën të ditur se, pas kryerjes së kontrolleve në terren dhe ndjekjes së plotë të gjurmueshmërisë së produktit, sasitë e konstatuara në tregun shqiptar janë bllokuar dhe do t’i nënshtrohen procesit të asgjësimit, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Autoriteti u bën thirrje konsumatorëve që kanë blerë këto produkte dhe i kanë ende në përdorim, të mos i konsumojnë dhe t’i kthejnë menjëherë në pikat e shitjes ku i kanë blerë, për të shmangur çdo rrezik për shëndetin e fëmijëve.