Vendosni fjalën kyçe....

67-vjeçari kapet në Kapshticë me 38 mijë dollarë të padeklaruara, i sekuestrohen edhe 35 mijë euro në banesë



Një 67-vjeçar është proceduar nga policia pas tentativës për të futur në Shqipëri 38 mijë dollarë pa i deklaruar. Kontrolli u krye në afërsi të Stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë, ku i moshuari, identifikuar si Gj. F., u kap me shumën e padeklaruar të fshehur në trup.

Gjatë kontrollit në banesë, autoritetet gjetën dhe sekuestruan edhe 35 mijë euro, të cilat u konsideruan si prova materiale.

Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Krimit të DVKM Korçë njoftuan se ndaj Gj. F. janë ngritur akuza për “Mosdeklarimin në kufi të të hollave dhe sendeve me vlerë” dhe “Pastrimin e produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë për veprime të mëtejshme.