
Rreth 14,400 vjet më parë, një këlysh ujku disa javësh hëngri vaktin e tij të fundit — mish nga një rinoceront leshatak — pak përpara se të ngordhte në peizazhin e ashpër të Epokës së Akullit në Siberinë verilindore.
Në një arritje të parë të këtij lloji, studiuesit kanë nxjerrë ADN-në dhe kanë riprodhuar gjenomin e rinocerontit nga një copë mishi të patretur në përmbajtjen e stomakut të gjetur në mbetjet e këlyshit, të zbuluara në permafrost (tokë e ngrirë) pranë fshatit Tumat. Këto gjetje gjenomike ofruan informacione mbi fatin e kësaj specieje mbresëlënëse barngrënëse me brirë, të përshtatur me të ftohtin, që dikur ishte e zakonshme në Evropën veriore dhe Azi.
Studiuesit krahasuan gjenomin e këtij rinoceronti me ato të dy individëve të tjerë të së njëjtës specie që jetuan mijëra vjet më parë — rreth 18,000 dhe 49,000 vjet më parë — për të ekzaminuar ndryshimet gjenetike me kalimin e kohës. Duke bërë këtë, ata mësuan se rinoceronti leshatak si specie mbeti gjenetikisht i shëndetshëm deri në fund të Epokës së Akullit, përpara se të pësonte një kolaps të shpejtë të popullsisë, me gjasa sepse ngrohja e klimës zhduku mjedisin e tyre të preferuar të stepë-tundrës.
Për shembull, gjenomi i sapozbuluar nuk tregoi asnjë provë të “inbreeding” (kryqëzimit brenda llojit) që do të sugjeronte rënie të popullsisë. Kërkime të tjera kanë treguar se rinoceronti leshatak u zhduk rreth 14,000 vjet më parë, vetëm pak qindra vjet pasi ky individ kishte jetuar.
Arritje në gjenetikën evolucionare
“Me këtë kërkim ne demonstrojmë se është e mundur të përftohet një gjenom me cilësi të lartë nga materiale të ruajtura keq që datojnë në një kohë vendimtare të historisë së jetës së një specieje,” tha gjenetistja evolucionare Solveig Gudjonsdottir, autore kryesore e studimit të botuar të mërkurën në revistën Genome Biology and Evolution.
Rinoceronti leshatak, emri i llojit të të cilit është Coelodonta antiquitatis, shfaqet për herë të parë në rekordet fosile rreth 600,000 vjet më parë. Ai u bë një nga gjitarët e shumtë të mëdhenj që u zhdukën rreth fundit të Epokës së fundit të Akullit, së bashku me mamuthët leshatakë, macet me dhëmbë shpatë dhe lloje të tjerë.
“Rinoceronti leshatak ishte një kafshë e madhe, që arrinte deri në rreth 2 metra lartësi dhe ishte i mbuluar me gëzof të trashë dhe të gjatë,” tha Gudjonsdottir. “Ai kishte dy brirë, një gungë të madhe në shpinë, trup të bëshëm dhe këmbë relativisht të shkurtra.”
Zbulimi kryesor është se nuk shihet asnjë ndryshim në diversitetin gjenetik gjatë dhjetëra mijëra viteve të fundit përpara zhdukjes. Kjo sugjeron se çfarëdo që e shkaktoi zhdukjen, ishte e shpejtë, shkruan Reuters.
“Duke qenë se njerëzit kishin qenë të pranishëm në rajon për rreth 15,000 vjet para zhdukjes, pa shkaktuar rënie të popullsisë, ne mendojmë se ngrohja e mirënjohur e klimës rreth 14,000 vjet më parë është një shpjegim më i mundshëm,” tha bashkëautori Love Dalén.
Mbetjet e mumu fikuara natyrshëm të dy këlyshëve të ujkut gri, secili rreth shtatë deri në nëntë javësh, u gjetën gjatë viteve 2010 në një gjendje të shkëlqyer ruajtjeje. Ai me mishin e rinocerontit në stomak duhet të ketë ngordhur pak pas ngrënies, duke qenë se mishi nuk ishte tretur. Analizat sugjerojnë se këlyshët ishin ende duke u ushqyer me qumësht, gjë që tregon se mishi u është siguruar nga nëna ose anëtarë të tjerë të tufës.