Vendosni fjalën kyçe....

Rrëshqitje dheu në vendin afrikan, 28 viktima (Video)


Të paktën 28 persona humbën jetën pasi një rrëshqitje masive dheu goditi një fshat të izoluar në lindje të Republikës Demokratike të Kongos, raportoi të mërkurën media lokale Actualite.

Ngjarja ndodhi të martën në mëngjes në fshatin Burutsi, në territorin Walikale të provincës së Kivusë Veriore, pas disa orësh reshjesh të dendura shiu, kur një pjesë e kodrës u shemb dhe përfshiu vendbanimin me baltë dhe mbetje, duke varrosur dhjetëra shtëpi.

Shefi i sektorit të Burutsit, Descarte Akilimali, deklaroi për Associated Press se rrëshqitja ndodhi në mënyrë të papritur ndërsa banorët ishin në gjumë, duke e përshkruar situatën si shkatërruese. Operacionet e kërkim-shpëtimit vijuan deri të enjten, me banorë vendas që iu bashkuan përpjekjeve për të nxjerrë viktimat e mbetura nën rrënoja, ndërsa shumë familje që mbetën pa strehë u sistemuan përkohësisht në shkolla pranë zonës.

Autoritetet lokale i bënë thirrje qeverisë qendrore për ndihmë emergjente, por reagimi u vështirësua ndjeshëm nga bllokimi i rrugës kryesore që lidh Goman me Walikale. Zona mbetet e pasigurt që prej marrjes nën kontroll vitin e kaluar nga rebelët e M23 dhe për shkak të dhunës së vazhdueshme.

Sipas një zyrtari administrativ, numri i viktimave kishte arritur në 19 deri të mërkurën, por një i plagosur ndërroi jetë më vonë në spital, ndërsa raportimet e mëvonshme e çuan bilancin në 28 të vdekur, me pesë prej tyre ende të paidentifikuar, dhe u konfirmua se 17 shtëpi u shkatërruan plotësisht.

Rrëshqitjet e dheut përbëjnë një rrezik të vazhdueshëm në lindje të vendit, veçanërisht në provincat malore të Kivusë Veriore dhe Jugore, ku reshjet e zgjatura, shpyllëzimi dhe ndërtimet informale rrisin ndjeshëm ekspozimin ndaj fatkeqësive, shkruan Rt.

Në vitet e fundit, dhjetëra persona kanë humbur jetën në incidente të ngjashme, përfshirë nëntorin e vitit 2024, kur të paktën dhjetë persona, mes tyre edhe fëmijë, u vranë nga një rrëshqitje dheu në territorin Kalehe të Kivusë Jugore, si dhe majin e vitit 2023, kur përmbytjet dhe rrëshqitjet përreth liqenit Kivu shkaktuan mbi 390 viktima, një nga fatkeqësitë natyrore më vdekjeprurëse në historinë e fundit të Republikës Demokratike të Kongos.