Vendosni fjalën kyçe....

Greqia gati të nënshkruajë marrëveshjen për kërkim nafte në Mesdhe me amerikanët e Chevron


Kontratat e qirasë për katër blloqe kërkimi detar pranë Peloponezit dhe Kretës janë gati për nënshkrim, duke hapur një fazë të re për aktivitetin energjetik të Greqisë në Mesdheun Lindor. Marrëveshjet do të lidhen me konsorciumin Chevron–Helleniq Energy dhe pas miratimit nga Gjykata e Auditimit të Shtetit, procesi hyn në fazën përfundimtare të nënshkrimit dhe ratifikimit nga Parlamenti grek.

Ministri i Mjedisit dhe Energjisë, Stavros Papastavrou, deklaroi se miratimi i katër kontratave për blloqet “Jug i Peloponezit”, “A2”, “Jug i Kretës I” dhe “Jug i Kretës II” konfirmon se procedurat po ecin sipas afateve të parashikuara. Sipas tij, vëzhgimet gjeofizike pritet të nisin brenda këtij viti, duke shënuar fillimin praktik të fazës kërkimore.

Procesi i kërkimit është strukturuar në tre etapa. Faza e parë, me kohëzgjatje trevjeçare, parashikon kryerjen e vëzhgimeve sizmike dy- dhe tredimensionale. Faza e dytë do të zgjasë dy vjet dhe përfshin, përveç vëzhgimeve sizmike, edhe shpime eksploruese. Faza e tretë, gjithashtu dyvjeçare, do të përqendrohet në vëzhgime të avancuara 3D dhe shpime të mëtejshme për të konfirmuar potencialin e depozitave.

Interesi kryesor i Chevron është përqendruar në zonën në jug të Kretës, ku vlerësohet se ekzistojnë të paktën nëntë pika me probabilitet të lartë për praninë e hidrokarbureve të shfrytëzueshme. Gjashtë parcelat ngjitur në këtë zonë, dy të konsorciumit ExxonMobil dhe katër të Chevron, formojnë një fushë të vazhdueshme kërkimi me një sipërfaqe prej mbi 81 mijë kilometrash katrorë, çka rrit ndjeshëm gjasat për zbulime të rëndësishme.

Sipas të dhënave të prezantuara në vitin 2019 nga drejtues të Helleniq Energy, analizat sizmike në rajonin e Kretës tregojnë mundësinë e një depozite prej rreth 280 miliardë metrash kub gaz natyror. Nëse këto vlerësime konfirmohen, rezervat mund të mbulojnë nevojat e tregut vendas për afro pesë dekada. Paralelisht, kërkimet e kompanisë shtetërore të hidrokarbureve kanë identifikuar mbi 30 objektiva potencialë për eksplorim.

Në një kontekst konkurrencë të shtuar në Mesdheun Lindor për shpime eksploruese, sfida kryesore për Greqinë mbetet shfrytëzimi i këtij momenti për të avancuar shpejt drejt konfirmimit të rezervave. Prania e Chevron, pas hyrjes së ExxonMobil, përforcon peshën gjeostrategjike të vendit dhe nënvizon rëndësinë e rajonit të Kretës si një zonë me potencial të konsiderueshëm energjetik, shkruan Kathimerini.