
Kryeministri Edi Rama deklaroi gjatë një takimi me rektorët e universiteteve publike dhe private se ka ardhur koha për të bërë ndryshime në ligjin për arsimin e lartë.
Ai theksoi se ndryshimet do të përgatiten nga një grup ekspertësh dhe pritet të kalojnë në Kuvend brenda këtij sesioni parlamentar.
Duke komentuar nevojën për rishikimin e ligjit, Rama tha se periudha e zbatimit ka sjellë mjaftueshëm përvojë, problematika dhe reflektim për të parë qartë se ku duhet ndërhyrë.
“Është koha për të rivizatuar ligjin e arsimit të lartë, pasi tani më ka kaluar një periudhë e mjaftueshme për të reflektuar në atë ligj ndryshimet që ka sjellë koha, por edhe konstatimet e praktikës në raport me kornizën e ligjit. Ma ha mendja nuk do presim sesionin tjetër të parlamentit për ta përgatitur bazën e ndryshimeve. Të reflektojmë mbi shqetësimet për të shkruar ndryshimet” – tha ai
Kreu i qeverisë nënvizoi se sfida e përbashkët e universiteteve në vend mbetet ndërkombëtarizimi dhe racionalizimi i burimeve dhe potencialeve, ndërsa vuri në dukje se institucionet e arsimit të lartë nuk varen më vetëm nga buxheti i shtetit.
Në këtë drejtim, Rama solli shembullin e Universitetit të Tiranës, i cili sipas tij ka arritur të rrisë ndjeshëm kapacitetet e veta financuese falë projekteve dhe partneriteteve evropiane.
“Sfida jonë e përbashkët është nga njëra anë ndërkombëtarizimi dhe nga ana tjetër racionalizimi i burimeve dhe potencialeve. Universiteti i Tiranës është në krye të një vargu universitetesh që e kanë rritur kapacitetin e tyre financues jashtë buxhetit të shtetit” – u shpreh ai