Vendosni fjalën kyçe....

Shkon në 22 numri i viktimave nga aksidenti hekurudhor në Tajlandë



Të paktën 22 persona kanë humbur jetën pasi një vinç ndërtimi u rrëzua mbi një vagon të një treni në lëvizje, rreth orës 09:00 sipas kohës lokale (02:00 GMT), në verilindje të Tajlandës.

Sipas të dhënave zyrtare të raportuara nga BBC, treni, i cili transportonte të paktën 195 pasagjerë, ishte nisur nga Bangkoku drejt një province në verilindje të vendit kur ndodhi aksidenti. Si pasojë e përplasjes së rëndë, të paktën 80 persona mbetën të plagosur, ndërsa viktima më e re raportohet të jetë vetëm një vjeç.

Një prej të mbijetuarve, punonjës i trenit, tregoi se ai dhe pasagjerët e tjerë u hodhën në ajër në momentin kur vinçi ra mbi vagonin ku ndodheshin.

Autoritetet tajlandeze kanë urdhëruar drejtuesin e Hekurudhave Shtetërore të Tajlandës që të zhvillojë një hetim “të plotë dhe gjithëpërfshirës” për të zbardhur shkaqet e aksidentit.

Aksidentet vdekjeprurëse në kantieret e ndërtimit nuk janë të rralla në Tajlandë, çka autoritetet dhe ekspertët e lidhin pjesërisht me zbatimin e dobët të standardeve të sigurisë dhe rregulloreve në fuqi.