Vendosni fjalën kyçe....

Princi i Kurorës së Iranit u bën thirrje protestuesve: Ndihma amerikane po vjen



Princi i Kurorës së Iranit, Reza Pahlavi, ka deklaruar se ndihma amerikane është “në rrugë”, duke u bërë thirrje protestuesve që të vijojnë demonstratat kundër regjimit iranian dhe ushtrisë që të braktisë udhëheqjen aktuale. Mesazhi i tij u publikua të mërkurën në mëngjes në rrjetin social X (ish-Twitter).

“Bashkatdhetarët e mi, tashmë me siguri e keni dëgjuar mesazhin e Presidentit të Shteteve të Bashkuara. Ndihma po vjen. Vazhdoni luftën, ashtu siç keni bërë deri tani”, shkruan Pahlavi në deklaratën e tij.

Ai theksoi se mes popullit iranian dhe regjimit ekziston “një det gjaku”, duke shtuar se përgjegjësit për dhunën do të përballen me drejtësinë. Në vijim, Pahlavi i bëri thirrje ushtrisë iraniane të ndalojë mbështetjen për regjimin dhe të rreshtohet në krah të protestuesve, përcjell JPost.

“Kam edhe një mesazh të veçantë për anëtarët e ushtrisë. Ju jeni ushtria kombëtare e Iranit, jo ushtria e Republikës Islamike. Keni për detyrë të mbroni jetën e bashkatdhetarëve tuaj. Nuk keni shumë kohë. Bashkohuni me ta sa më shpejt të jetë e mundur”, u shpreh ai.

Mesazhi i Princit të Kurorës vjen në një moment kur konfirmimet zyrtare për numrin e viktimave nga protestat kanë kaluar shifrën e 2.000 të vdekurve. Të martën, një zyrtar iranian i tha The New York Times se rreth 3.000 persona kanë humbur jetën, ndërsa organizata për të drejtat e njeriut HRANA konfirmoi se të paktën 2.403 protestues janë vrarë.

Deklaratat e Pahlavit pasojnë edhe mesazhin e Presidentit amerikan Donald Trump, i cili një ditë më parë deklaroi se kishte anuluar të gjitha takimet me zyrtarë iranianë derisa regjimi të ndalë goditjen e dhunshme ndaj protestuesve. Po atë ditë, SHBA u bëri thirrje qytetarëve të saj të largohen menjëherë nga Irani, duke sugjeruar daljen nga vendi përmes Turqisë ose Armenisë, nëse është e sigurt.

Situata në Iran vijon të mbetet e tensionuar, ndërsa protestat kundër regjimit po shënojnë një nga krizave më të rënda politike dhe shoqërore të viteve të fundit.