
Bilanci i viktimave nga protestat mbarëkombëtare në Iran ka arritur të paktën në 2.571 persona, sipas Agjencisë së Lajmeve të Aktivistëve të të Drejtave të Njeriut (HRANA), me seli në SHBA. Protestat përbëjnë valën më të madhe të kundërshtimit ndaj regjimit iranian në vitet e fundit dhe po shoqërohen me presion të shtuar ndërkombëtar ndaj Teheranit për mënyrën e shtypjes së tyre, përcjell YNetNews.
HRANA njoftoi se ka verifikuar vdekjen e 2.403 protestuesve, 147 personave të lidhur me qeverinë, 12 të miturve dhe 9 civilëve që nuk kanë marrë pjesë në protesta. Autoritetet iraniane pranuan të martën se rreth 2.000 persona janë vrarë, duke shënuar herën e parë që japin një shifër të përgjithshme që prej nisjes së trazirave më shumë se dy javë më parë.
Protestat, të nxitura nga kushtet e rënda ekonomike, janë përhapur në të gjithë vendin dhe përbëjnë sfidën më serioze të brendshme për udhëheqjen fetare iraniane në të paktën tre vitet e fundit. Ato zhvillohen në një moment kur Irani përballet edhe me presion të shtuar ndërkombëtar pas sulmeve izraelite dhe amerikane vitin e kaluar.
Presidenti amerikan Donald Trump u ka bërë thirrje iranianëve të vazhdojnë protestat, duke deklaruar se “ndihma është në rrugë”. I pyetur se çfarë nënkuptonte, Trump tha se kjo do të kuptohej së shpejti, duke shtuar se edhe opsioni ushtarak është mes alternativave që po shqyrton në përgjigje të goditjes së protestave nga regjimi iranian. Ai gjithashtu u bëri thirrje qytetarëve amerikanë të largohen nga Irani, ndërsa disa shtete, përfshirë Francën, Kanadanë, Gjermaninë, SHBA-në, Japoninë dhe Zelandën e Re, kanë lëshuar paralajmërime udhëtimi ose këshilla evakuimi.
Autoritetet iraniane reaguan ashpër ndaj deklaratave të Trump, duke fajësuar sërish fuqitë e huaja për trazirat. Sekretari i Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare të Iranit, Ali Larijani, deklaroi se Teherani po “shpall emrat e vrasësve kryesorë të popullit iranian: Trump dhe Netanyahu”. Irani ka akuzuar SHBA-në dhe Izraelin për nxitje të dhunës, duke pretenduar se viktimat janë shkaktuar nga “grupe terroriste” të udhëzuara nga jashtë.
Sipas vlerësimeve të inteligjencës izraelite, numri i viktimave mund të jetë shumë më i lartë. Zyrtarë izraelitë kanë folur për mbi 4.000 të vrarë, ndërsa burime të tjera opozitare kanë raportuar shifra edhe më të larta, deri në 10–12 mijë viktima.
Paralelisht me vrasjet, është rritur ndjeshëm edhe numri i arrestimeve. HRANA raporton se të paktën 16.784 protestues janë ndaluar që nga shpërthimi i protestave. Organizata Iran Human Rights njoftoi se një i ri 26-vjeçar është dënuar me vdekje dhe mund të ekzekutohet në çdo moment.
Brenda Iranit, regjimi ka vendosur një bllokim pothuajse total të komunikimeve për të pestën ditë radhazi, në përpjekje për të penguar dokumentimin e dhunës. Ndërkohë, kriza po hyn në një fazë gjithnjë e më të rrezikshme, me rrezikun e përshkallëzimit nga një çështje e brendshme në një përplasje më të gjerë rajonale.