
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, komentoi sot financimet për Kuvendin e 11 dhjetorit 2021, duke theksuar se çdo kontribut është deklaruar dhe se nuk ka pasur asnjë element të fshehtë.
Ai u ndal edhe te hetimi pasuror ndaj tij dhe familjarëve, të cilin e konsideroi të motivuar politikisht, duke thënë se procesi tashmë është i mbyllur.
Duke folur për hetimet ndaj tij, Berisha nënvizoi se kontrolli mbi pasurinë e tij ka qenë i plotë dhe i hershëm.
“Hetimi pasuror i Sali Berishës për 32 vite është bërë dhe dërguar në gjykatë. Jam i vetmi politikan i hetuar me hollësi brenda dhe jashtë vendit për të gjitha”, tha ai.
Ai shtoi se gazetarët nuk duhet të bien pre e manipulimeve, siç i cilësoi ai, nga SPAK.
“Unë do t’u thoja gazetarëve të mos i lejojnë vetes të keqpërdoren nga delinkuentë në institucionin e SPAK. Çdolloj hetimi që të ndërmarrë, nuk kam asnjë vërejtje”, tha Berisha.
Sa i përket transparencës për financimet e Kuvendit të dhjetorit 2021, Berisha theksoi se çdo kontribues është i deklaruar.
“Është deklaruar çdo gjë dhe çdo financim i çdo personi. Nuk ka asgjë të fshehur. Personat që kanë financuar e kanë deklaruar atë”, tha ai.
I pyetur për koston e aktivitetit, Berisha tha se nuk mban mend shifra të sakta, por përmendi një episod që sipas tij tregon presion ndaj biznesit.
“Asnjë shifër nuk kam parasysh, por di që në atë kohë Lulzim Basha i dha Escobar dhe Yuri Kim një listë të bizneseve që po sponsorizojnë Berishën, dhe ata nisën të thërrasin biznesmenë që nuk më kishin dhënë kurrë një qindarkë”, deklaroi ai.
Ai shtoi se çmimet për ambientet e përdorura janë publike.
“Ai çmim i stadiumit është publik. Federata Shqiptare e Futbollit është ent publik dhe ne kemi deklaruar çdo gjë”, tha Berisha.
Në vijim të deklarimeve, Berisha këmbënguli se as për Kuvendin, as për hetimet e tij, nuk ka asgjë të paqartë apo të papublikuar.