Vendosni fjalën kyçe....

Abdixhiku jep dorëheqjen si kreu i LDK-së


Kryetari i Lidhjes Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pasi Hykmete Bajrami ka deklaruar se ka ofruar dorëheqjen si nënkryetare e LDK-së derisa ka kërkuar edhe dorëheqjen e kryetarit të Abdixhikut.

Abdixhiku ka thënë përmes një postimi në Facebook se më shumë se dorëheqjen “nuk kam çfarë të ofroj”. Ai ka shtuar se nuk i shmanget asnjë përgjegjësie e reflektimi.

“Kam marrë hapin më moral që një kryetar mund ta marrë: kam ofruar dorëheqjen time. Kam hapur rrugën për secilin që ka pretendime. Jeni të lirë të garoni; në Kuvend e keni mundësinë. Tani vendimi nuk është më i imi, është i LDK-së… Më shumë se dorëheqja nuk ka çfarë të ofrojë një politikan. Eliminimet politike mund të jenë legjitime si aspiratë, por edhe për to vendos anëtarësia si tërësi, jo ne individualisht”, ka shkruar ai, raporton Koha.

Abdixhiku, pa përmendur emra, ka thënë se në Kuvendin e partisë merret vendimi dhe se anëtarët e saj duhet të sillen “pa dramë e pa protagonizëm”.

“Kemi thirrur Kuvendin. Aty flasim hapur. Aty propozojmë hapur. Aty vendosim hapur. Le ta presim Kuvendin. Le ta mbajmë debatin para shtëpisë sonë, me orë të tëra, me ditë të tëra po qe nevoja. Jemi të njohur për demokraci dhe liri veprimi. Le të sillemi me përgjegjësi. Sepse LDK nuk është reagim i çastit, nuk është as protagonizëm i ditëve të vështira; edhe më pak vendim i rrjeteve sociale e duartroktijeve të kundërshtarëve. LDK është institucion”.